Tim Davie ka njoftuar sot, 9 nëntor, dorëheqjen nga pozicioni i drejtorit të përgjithshëm të BBC-së pas 5 vitesh në detyrë, duke pranuar se “kanë ndodhur disa gabime” dhe se ai duhet të “marrë përgjegjësinë përfundimtare”.
Gjithashtu, shefja ekzekutive e BBC News, Deborah Turness, njoftoi dorëheqjen e saj pas një raporti të gazetës gjatë javës, që akuzonte institucionin mediatik për editim selektiv të një fjalimi të Donald Trump në ditën e protestës masive në Capitol, në janar 2021.
Siç shkruajnë mediat e huaja, gjithçka lidhet me një ankesë të Michael Prescott, ish-këshilltar i jashtëm i komitetit për standardet editoriale të BBC-së, i cili ngriti shqetësime gjatë verës mbi mënyrën se si ishin bashkuar fragmentet e fjalimit të presidentit amerikan më 6 janar 2021 në dokumentarin Trump: A Second Chance?
Dokumentari u transmetua një javë para zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, dhe kritikët thanë se ishte i manipuluar, pasi ishte hequr pjesa ku presidenti thoshte se dëshironte që mbështetësit të demonstronin paqësisht.
Deklarata e Tim Davie
Davie i dërgoi stafit një deklaratë duke konfirmuar largimin pas 20 vitesh në BBC, duke thënë:
Ky është një vendim krejtësisht personal dhe mbetem shumë mirënjohës ndaj bordit për mbështetjen e tyre të pandryshueshme dhe unanime gjatë gjithë mandatit tim, përfshirë ditët e fundit.
Ai shtoi se po punonte me bordin për të përcaktuar kohën më të përshtatshme për një kalim të rregullt të detyrës tek pasardhësi i tij.
“Kam reflektuar mbi kërkesat shumë intensive personale dhe profesionale të këtij roli për shumë vite dhe dua t’i jap pasardhësit tim kohë për të ndihmuar në formësimin e planeve të statutit që do të zbatojë“, ka thënë ai.
Ai shtoi se BBC ka një rol të veçantë në këto kohë dhe se ndihmon Mbretërinë e Bashkuar të jetë një vend tolerant dhe interesant.
“BBC nuk është e përsosur dhe duhet të jemi gjithmonë të hapur, transparentë dhe të përgjegjshëm. Ndërkohë që kjo nuk është e vetmja arsye, debati aktual rreth BBC News ka ndikuar po ashtu në vendimin tim.”
