Shtëpia e Bardhë ka nisur një hetim të gjerë për të zbuluar burimin e rrjedhjes së informacioneve mbi shqetësimet e sigurisë së avionit të dhuruar nga Katari, i cili ishte parashikuar të përdorej si Air Force One.

Sipas burimeve të CNN, disa zyrtarë federalë janë urdhëruar të dorëzojnë telefonat celularë për kontrolle nga hetuesit, në përpjekje për të identifikuar personat që kanë nxjerrë informacionet konfidenciale.

Hetimi është drejtuar nga shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, dhe drejtori i FBI-së, Kash Patel. Sipas raportimeve, të dy kanë koordinuar nga Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë një operacion që disa burime e kanë përshkruar si një “dhomë lufte” për menaxhimin e situatës.

Presidenti Donald Trump raportohet se ka shfaqur zemërim pas publikimit të detajeve mbi mangësitë e mundshme të sigurisë së avionit të ri, duke nxitur administratën të nisë një hetim të brendshëm.

Hetuesit kanë marrë në pyetje zyrtarë të përfshirë në udhëtimet presidenciale dhe në organizimin e tyre. Megjithatë, sipas burimeve, jo të gjithë punonjësit kanë pranuar të dorëzojnë pajisjet personale për verifikim.

Hetimi u bë publik pas vendimit të Departamentit amerikan të Drejtësisë për të lëshuar fletëthirrje ndaj katër gazetarëve të “The New York Times”, të cilët kishin raportuar mbi shqetësimet e sigurisë që lidhen me avionin. Vendimi është kritikuar nga organizatat për mbrojtjen e lirisë së shtypit, ndërsa gazeta ka deklaruar se do ta kundërshtojë ligjërisht këtë veprim.

Në qendër të çështjes është një avion Boeing 747 me vlerë rreth 400 milionë dollarë, i dhuruar nga Katari për përdorim presidencial. Fillimisht, Trump kishte planifikuar ta përdorte avionin gjatë një udhëtimi jashtë vendit, por më pas u rikthye te avioni aktual presidencial.

Sipas raportimeve, vlerësimet e sigurisë gjatë procesit të përdorimit të avionit zbuluan se ai, edhe pse kishte disa sisteme mbrojtëse, nuk garantonte ende të njëjtin nivel sigurie si Air Force One ekzistues.

Burime nga ushtria amerikane dhe Shërbimi Sekret kanë ngritur shqetësime se avioni i ri ishte futur në përdorim me nxitim, ndërsa avionët e rinj presidencialë të porositur më herët pritet të jenë gati jo përpara vitit 2028, për shkak të instalimit të sistemeve të avancuara të komunikimit dhe mbrojtjes.