Dokumente të reja të deklasifikuara nga Pentagon kanë rikthyer vëmendjen te një incident misterioz i raportuar më shumë se 60 vite më parë nga astronautët e misionit hapësinor Gemini 7 mission.
Sipas dosjeve të publikuara, astronautët e NASA, Frank Borman dhe Jim Lovell, raportuan gjatë fluturimit se kishin parë një objekt të paidentifikuar dhe “të padukshëm”, të cilin e përshkruan si një trup të ndritshëm me “triliona grimca” rreth tij.
Në transkriptin e publikuar për herë të parë, Borman dëgjohet duke njoftuar kontrollin e misionit më 5 dhjetor 1965 për praninë e një objekti në afërsi të anijes.
Fillimisht, kontrolli i misionit pyeti nëse bëhej fjalë për raketën përforcuese të kapsulës Gemini, por astronauti sqaroi se objekti ishte një “pamje e vërtetë” dhe jo pjesë e mbeturinave të zakonshme hapësinore.
Ai raportoi gjithashtu se mund të shihte “qindra grimca të vogla” që lëviznin pranë anijes.
Publikimi i këtyre dokumenteve vjen pasi Pentagoni hapi një faqe të re të dedikuar për dosjet mbi fenomenet ajrore të paidentifikuara, të njohura si UAP ose UFO.
Sipas autoriteteve amerikane, në platformë janë publikuar fillimisht 162 dokumente, përfshirë video, fotografi dhe raporte të deklasifikuara nga agjenci të ndryshme federale.
Administrata amerikane deklaroi se qëllimi është rritja e transparencës publike mbi fenomenet misterioze që prej vitesh kanë nxitur teori dhe debat në mbarë botën.
