Janë publikuar një seri fotografish të reja të siguruara nga pasuria e Jeffrey Epstein, të cilat tregojnë lidhje të gjera të financierit të këtij të fundit me figura të fuqishme politike dhe ekonimike.

Në fotot në fjalë përfshihen presidenti Donald Trump, Bill Clinton, si dhe Andrew Mountbatten-Windsor, i njohur e si Princi Andrew.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve amerikanë publikuan 19 imazhe, pjesë e një një koleksioni prej rreth 95 mijë imazhesh të dorëzuara Kongresit në kuadër të hetimit të vazhdueshëm, raportojnë mediat e huaja.

Deputeti Robert Garcia tha se këto materiale shtojnë presionin për transparencë të plotë dhe kërkoi publikimin pa vonesë të të gjitha dokumenteve që Departamenti i Drejtësisë është i detyruar të lëshojë deri më 19 dhjetor.

Fotografitë tregojnë Epstein-in në shoqëri të Trump, Clinton, Bill Gates, Larry Summers dhe personaliteteve të tjera, duke ilustruar rrjetin e gjerë të marrëdhënieve të tij.

Një pjesë e materialeve të publikuara përfshijnë imazhe të Trump në ngjarje shoqërore pranë Epstein-it, si edhe një foto të nënshkruar nga Clinton ku ai shfaqet me Epstein-in dhe Ghislaine Maxwell, aktualisht e dënuar për pjesëmarrje në trafikim të miturish.

Po ashtu, në setin e fotove gjenden imazhe të Gates në takime të ndryshme, si edhe foto të Summers gjatë udhëtimeve me avion privat. Publikimi i materialeve të reja ka nxitur pasoja për Summers, i cili është ndaluar nga Shoqata Amerikane e Ekonomisë dhe është tërhequr nga disa role në Harvard.

Steve Bannon, ish-këshilltar i lartë i Trump, shfaqet gjithashtu në disa prej fotove duke biseduar me Epstein.

Ndërkohë, Republikanët e Komitetit kritikuan publikimin e njëanshëm, duke e cilësuar atë si përpjekje të padrejtë për të krijuar një narrativë të shtrembëruar.

Trump ka deklaruar më herët se ndërpreu çdo marrëdhënie me Epstein vite më parë dhe i ka cilësuar thirrjet për publikimin e dosjeve si të motivuara politikisht. Ai megjithatë mbështeti legjislacionin që detyron Departamentin e Drejtësisë të dorëzojë të gjitha materialet përkatëse.

Clinton është thirrur me urdhër për t’u paraqitur para Komitetit, por ende nuk ka një datë të caktuar për dëshminë e tij.

Demokratët në Komitet njoftuan se publikime të tjera të fotove priten në ditët dhe javët në vijim, duke theksuar se identitetet e viktimave do të mbeten të mbrojtura.