Departamenti i Drejtësisë të shtunën i dërgoi Kongresit një listë të “personave të ekspozuar politikisht” në miliona dosjet e publikuara në lidhje me hetimet e tij ndaj të dënuarit për krime seksuale Jeffrey Epstein.
Letra gjashtëfaqëshe, një kopje e së cilës u sigurua nga CNN, përfshin emrat e shumë figurave të njohura që shfaqen në dosje, pavarësisht kontekstit, dhe nuk specifikon shkallën në të cilën këta persona ishin të lidhur apo kishin kontakt me Epstein. Letra është nënshkruar nga Zv/Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche dhe i drejtohet anëtarëve kryesorë të Komisioneve të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat.
Departamenti i Drejtësisë u detyrua të nxirrte listën prej Aktit të Transparencës së Dosjes Epstein, i miratuar nga Kongresi.
Ndërsa disa nga personat në listë kanë lidhje të dokumentuara mirë me të dënuarin për krime seksuale, të tjerë nuk dihet të kenë ndërvepruar ndonjëherë personalisht me Epstein. Lista përfshin presidentë, ikona kulturore, drejtues biznesi dhe zyrtarë qeveritarë.
Asnjë nga personat në listë, përveç Epstein dhe bashkëpunëtores së tij Ghislaine Maxwell, nuk është akuzuar ndonjëherë në lidhje me krimet e Epstein.
Lista e sapopublikuar ka nxitur zemërimin e disa anëtarëve të Kongresit, përfshirë përfaqësuesin Ro Khanna, bashkautor i ligjit që detyroi publikimin e dosjeve. Ai pretendoi se Departamenti i Drejtësisë po “e turbullon qëllimisht situatën për të paqartësuar kush ishte grabitqar dhe kush u përmend në një email”.
Përfaqësuesja republikane Nancy Mace, një mbështetëse e zëshme e të mbijetuarve të Epstein, kritikoi ashpër Departamentin e Drejtësisë në një postim në rrjetet sociale të shtunën në mbrëmje, duke pretenduar se ka “emra që mungojnë në listën e zbuluar këtë mbrëmje”.
Si në letrat e mëparshme drejtuar Kongresit, Departamenti i Drejtësisë rendit arsyet për redaktimin e informacionit në dosje që shkojnë përtej asaj që kërkon ligji i miratuar nga Kongresi, përfshirë dokumente që tregojnë procesin e brendshëm vendimmarrës, materialet e punës dhe komunikimet avokat-klient që do të ishin të privilegjuara.
