Familja mbretërore norvegjeze po përballet me një periudhë të trazuar, pasi disa zhvillime të fundit kanë vënë në qendër të kritikave Princeshën e Kurorës, Mette-Marit, dhe rrethin e saj familjar, duke krijuar debat publik mbi rolin e saj të ardhshëm në monarki.

Një nga çështjet që ka tërhequr vëmendje lidhet me Marius Borg Høiby, djalin 29-vjeçar të Mette-Marit nga një lidhje e mëparshme. Ai po përballet me akuza për përdhunim në një proces gjyqësor në Oslo, ku gjatë seancës së parë mohoi akuzat. Høiby nuk bën pjesë në vijën e trashëgimisë së fronit, pasi ka lindur përpara martesës së princeshës me Princin Haakon në vitin 2001. Vetë Haakon sqaroi publikisht se ai është qytetar i zakonshëm dhe nuk konsiderohet pjesë zyrtare e Shtëpisë Mbretërore.

Megjithatë, polemikat nuk u ndalën këtu. Një debat i dytë shpërtheu pas publikimit të dokumenteve të reja në SHBA lidhur me çështjen e Jeffrey Epstein, ku rezulton se Mette-Marit kishte pasur komunikime me të edhe pasi ai ishte dënuar për sulm seksual ndaj një të mituri. Princesha ka shprehur pendesë për këtë lidhje, por reagimet publike dhe institucionale kanë qenë të forta.

Si pasojë, disa organizata bamirëse dhe institucione po rishikojnë ose ndërpresin bashkëpunimin me të, duke argumentuar se zhvillimet e fundit bien ndesh me vlerat që ato përfaqësojnë. Ndër to është edhe organizata Sex and Society në Oslo, e cila njoftoi ndërprerjen e bashkëpunimit.

Situata ka hapur për herë të parë një debat të hapur në Norvegji mbi përshtatshmërinë e Mette-Marit për të qenë mbretëresha e ardhshme, veçanërisht duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të Mbretit Harald V, i cili në moshën 88-vjeçare është monarku më i moshuar në Evropë dhe herë pas here detyrat e tij i kalojnë princit të kurorës.

Në sfond mbetet edhe gjendja shëndetësore e vetë princeshës, e cila prej vitit 2018 vuan nga fibrozë pulmonare, një sëmundje kronike që mund ta detyrojë në të ardhmen të tërhiqet nga detyrat publike.

Kur u martua me Princin Haakon në vitin 2001, Mette-Marit u pa si simbol i një monarkie më moderne, duke fituar simpati sidomos te brezat e rinj, pasi vetë kishte folur hapur për një rini problematike. Por zhvillimet e fundit duket se po e zbehin atë imazh dhe besimin e fituar ndër vite.