Një përplasje e fortë ka shpërthyer mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kongresmenit republikan nga Kentaki, Thomas Massie, pas miratimit të ligjit që detyron qeverinë federale të publikojë të gjitha dosjet që lidhen me Jeffrey Epstein.

Trump e sulmoi Massien gjatë Krishtlindjeve, duke e quajtur atë “një republikan i padenjë”, në një postim në rrjetin e tij Truth Social, ku gjithashtu e cilësoi interesimin e Kongresit për çështjen Epstein si një “mashtrim”.

Massie reagoi menjëherë në rrjetin X, duke thënë se ishte sulmuar nga “njeriu më i fuqishëm në botë” vetëm pse kishte mbajtur premtimin e tij për të ndihmuar viktimat. Ai e shfrytëzoi reagimin edhe për të kërkuar mbështetje financiare për fushatën e tij për zgjedhjet e vitit 2026, duke mbledhur mijëra dollarë donacione brenda pak orësh.

Thomas Massie është bashkautor i ligjit “Epstein Files Transparency Act”, i miratuar në mënyrë dypartiake në nëntor, i cili kërkon publikimin e plotë të dokumenteve që lidhen me financierin Jeffrey Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa përballej me akuza për trafikim seksual të të miturve.

Massie ka kritikuar vazhdimisht administratën Trump për mungesë transparence në këtë çështje dhe ka kërkuar që të gjithë personat e lidhur me Epstein të përballen me pasoja ligjore, njësoj siç ndodhi në Britani me Princin Andrew.

Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk e respektoi plotësisht afatin e 19 dhjetorit për publikimin e dosjeve, duke pranuar së fundmi se janë zbuluar mbi një milion dokumente shtesë, të cilat mund të kërkojnë edhe disa javë për t’u bërë publike.

Ndërkohë, Trump ka mbështetur publikisht një kandidat rival për ta sfiduar Massien në zgjedhjet paraprake republikane të vitit 2026, duke thelluar më tej përçarjen mes dy figurave republikane.

Top Channel