Presidenti kinez Xi Jinping i ka deklaruar kryeministrit indian Narendra Modi se “zgjedhja e duhur” për dy vendet më të populluara në botë është miqësia dhe partneriteti. Komentet u bënë gjatë samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, të zhvilluar të dielën në Kinë, që shënoi edhe vizitën e parë të Modit atje pas shtatë vitesh.
Dy liderët u përshëndetën me shtrëngim duarsh para kamerave, ndërsa takimi erdhi në një moment kur Pekini dhe Nju Delhi përballen me tarifa të rënda amerikane dhe kritika nga Perëndimi për afërsinë e tyre me Rusinë gjatë luftës në Ukrainë.
“Bota po kalon transformime që ndodhin vetëm një herë në një shekull. Është rruga e drejtë që Kina dhe India të jenë fqinj të mirë dhe partnerë që mbështesin suksesin e njëri-tjetrit, që dragoi dhe elefanti të vallëzojnë së bashku,” u shpreh Xi.
Vizita e Modit vjen në një periudhë tensionesh me Uashingtonin, pas tarifave të reja të vendosura nga presidenti Trump mbi eksportet indiane, të lidhura me blerjet e naftës nga Rusia. Në kuadër të samitit, Modi pritet të zhvillojë edhe një takim me presidentin rus Vladimir Putin, ku lufta në Ukrainë pritet të dominojë diskutimet.
Ndërkohë, marrëdhëniet Pekin–Nju Delhi tregojnë shenja afrimi, por analistët theksojnë se mungesa e besimit mes dy kryeqyteteve mbetet një pengesë serioze. Kujtojmë se në vitin 2020, përplasjet kufitare në Himalaje sollën viktima – 20 ushtarë indianë dhe 4 kinezë – ndërsa kufiri i gjatë 3.379 km vijon të jetë i papërcaktuar.
