Kryebashkiakja e zgjedhur e qytetit gjerman të Herdecke-s, Iris Stalzer, i ka mbijetuar një sulmi me thikë brenda shtëpisë së saj këtë javë.
Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se përgjegjëse për sulmin është vajza e saj e adoptuar, raporton Deutsche Welle.
Stalzer, 57 vjeçe, u dërgua me helikopter në spital pas gjetjes së saj me plagë të shumta në shtëpi.
Policia dhe prokuroria lokale njoftuan gjatë një konference për shtyp në Hagen se gjendja e kryebashkiakes nuk është më kërcënuese për jetën.
Hetuesit raportuan se Stalzer ka mundur t’i përgjigjej disa pyetjeve që në mbrëmjen e së martës nga krevati i saj i spitalit.
Gjatë kontrollit të banesës, policia gjeti shenja të një përleshjeje në bodrum, rrobat që ajo kishte veshur gjatë sulmit dhe dy thika, të cilat mendohet se janë përdorur si armë.