Një ngjarje dramatike ka tronditur Zelandën e Re, ku policia ka vrarë Tom Phillips, babain e arratisur që ishte zhdukur në vitin 2021 bashkë me tre fëmijët e tij.

Pas katër vitesh kërkimesh intensive, fëmijët u gjetën gjallë dhe të sigurt në një kamping të izoluar.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës, pasi policia ndërhyri pas raportimeve për një grabitje në një dyqan furnizimesh rurale në rajonin Waikato. Një dëshmitar kishte parë Phillips dhe vajzën e tij të madhe, Jayda, 12 vjeç, duke vjedhur artikuj ushqimorë dhe njoftoi menjëherë policinë.

Policia organizoi një postbllok dhe vendosi gozhda në rrugë për të ndaluar motorin me katër rrota me të cilin po largoheshin. Kur oficerët iu afruan, ata u qëlluan me armë zjarri. Një polic mbeti i plagosur rëndë në kokë. Në përplasjen që pasoi, forcat speciale hapën zjarr dhe vranë Tom Phillips në vend.

Jayda u arrestua menjëherë, ndërsa dy fëmijët e tjerë, Maverick, 10 vjeç, dhe Ember, 9 vjeç, u shpallën të zhdukur për disa orë, duke shkaktuar frikë për jetën e tyre. Rreth orës 16:30 të pasdites, ata u gjetën në një kamping të largët dhe u dërguan për kontrolle mjekësore. Policia konfirmoi se të tre fëmijët janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Tom Phillips ishte zhdukur në vitin 2021 pasi humbi kujdestarinë e fëmijëve. Ai kishte hyrë në një jetë të fshehur në natyrë, duke iu shmangur autoriteteve për katër vjet, pavarësisht ndjekjes kombëtare dhe pamjeve të herëpashershme nga kamerat e sigurisë. Ai përballej me akuza të shumta, përfshirë grabitje të armatosur, posedim të paligjshëm të armëve dhe sulm të rëndë.