Katër astronautë nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja janë gati të nisen në një nga misionet më të rëndësishme hapësinore të dekadave të fundit.
Misioni Artemis II, i organizuar nga NASA, pritet të nisë në fillim të prillit dhe do të dërgojë ekuipazhin në një udhëtim rreth Hënës që do të zgjasë rreth 10 ditë.
Ky mision nuk përfshin ulje në Hënë, por synon të testojë anijen kozmike Orion, e cila do të përdoret në misionet e ardhshme për zbarkim.
Megjithatë, astronautët do të udhëtojnë më thellë në hapësirë sesa shumë nga misionet e epokës Apollo, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të njerëzimit në Hënë pas më shumë se 50 vitesh.
Ekuipazhi përbëhet nga katër astronautë me përvoja dhe histori të ndryshme.
Komandanti Reid Ëiseman është një ish-kapiten i marinës amerikane dhe veteran i Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor.
Ai ka kaluar më shumë se pesë muaj në orbitë në vitin 2014. Për të, pjesa më e vështirë e misionit nuk është largimi, por ndikimi emocional që ka tek familja e tij.
Piloti Victor Glover, një nga astronautët e paktë afro-amerikanë të NASA-s, e sheh këtë mision si një mundësi për të frymëzuar brezat e rinj.
Ai ka mbi 3,000 orë fluturimi dhe ka marrë pjesë në misione luftarake, si dhe ka kaluar më shumë se gjashtë muaj në Stacionin Hapësinor.
Specialistja e misionit Christina Koch është e njohur për rekordin e saj prej 328 ditësh në hapësirë fluturimi më i gjatë për një grua. Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e ecjes së parë hapësinore vetëm me gra.
Koch e konsideron këtë mision si një moment historik për përfshirjen e grave në eksplorimin hapësinor.
Ndërkohë, Jeremy Hansen nga Kanadaja do të bëhet kanadezi i parë që udhëton drejt Hënës. Me një karrierë si pilot ushtarak dhe eksperienca në simulime nënujore të NASA-s, ai përfaqëson bashkëpunimin ndërkombëtar në eksplorimin e hapësirës.
Para nisjes, ekuipazhi po përgatitet intensivisht në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida, duke rishikuar procedurat emergjente dhe duke qëndruar në karantinë për të shmangur çdo rrezik shëndetësor.
