Mbreti Charles III takoi personin më të moshuar në botë, 116-vjeçaren Ethel Caterham, pak pasi mbaroi takimin me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Monarku, 76 vjeç, u takua me pensionisten në Lightwater, në Surrey, të enjten.
Znj. Caterham u bë personi më i vjetër në jetë në prill, pas vdekjes së murgeshës braziliane, Inah Canabarro Lucas, në moshën 116 vjeç. Me të mbërritur në vendin e vizitës, Mbreti i mbajti dorën zonjës Caterham ndërsa ai u prezantua.
Zonja Caterham i tha Mbretit se i kujtohej kur Mbretëresha Elizabeth e kurorëzoi atë në Kështjellën Caernarfon.

Charles shprehu kënaqësinë të dëgjonte për kujtimet e saj të vitit 1969, ajo tregoi se kur ai u shpall Princ i Uellsit në moshën 21 vjeç: “Të gjitha vajzat ishin të dashuruara me ty dhe donin të martoheshin me ty.”
Komenti shkaktoi të qeshura. Znj. Caterham kishte zgjedhur ta festonte ditëlindjen e saj të fundit thjeshtë, vetëm me familjen. Por ishte bërë e ditur se ajo do të bënte një përjashtim për Mbretin. Disa javë më vonë, Mbreti e nderoi atë, duke udhëtuar personalisht për ta takuar atë.
Gjatë vizitës, të dy biseduan edhe për kujtimet e saj nga një festë në kopshtin e Pallatit Buckingham, ku ajo kishte marrë pjesë në vitet 1960. Në tavolinën mes tyre, ndodheshin disa kartolina ditëlindjeje të mëparshme: Një nga Charles dhe Camilla, një nga Mbretëresha Elizabeth II, si dhe një letër e nënshkruar nga Mbreti për ditëlindjen e saj të 116-të, e futur në kornizë.
Në total, 17 kartolina janë dërguar nga monarkët britanikë për zonjën Caterham që nga mbushja e 100 viteve, përfshirë edhe atë për 100-vjetorin e saj.
Një jetë e jashtëzakonshme
Në vitin 2023, znj. Caterham u shfaq në Instagramin zyrtar të familjes mbretërore, kur u filmua duke marrë një kartolinë nga Mbreti për ditëlindjen e saj të 114-të. Ajo shfaqej përkrah tre mbesave të saj, Kate, Julia Pauling dhe Lucy Robinson.

Ethel Caterham lindi më 21 gusht 1909 në Shipton Bellinger, Hampshire, pesë vjet para fillimit të Luftës së Parë Botërore. Ajo ishte fëmija i shtatë nga tetë vëllezër e motra. Në vitin 1927, në moshën 18 vjeç, udhëtoi për në Indi ku punoi si dado për një familje ushtarake deri në moshën 21 vjeç.
Në vitin 1931, në një darkë në Mbretërinë e Bashkuar, ajo u njoh me bashkëshortin e saj Norman, nënkolonel në Ushtrinë Britanike, i cili vdiq në vitin 1976.
Çifti jetoi në Salisbury, përpara se të shpërngulej në Gjibraltar dhe më pas në Hong Kong.
Teksa ishte në Hong Kong, znj. Caterham hapi një çerdhe dhe rriti dy vajza, të cilat ndërruan jetë para saj. Një nga motrat e saj, Gladys, jetoi deri në moshën 104 vjeç. Znj. Caterham drejtoi makinën deri në moshën 97 vjeç dhe vazhdoi të luante brixh edhe në moshën 100-vjeçare. Në vitin 2020, në moshën 110 vjeç, i mbijetoi COVID-19.