Nuk kanë të sosur përpjekjet për të futur drogë në burgun famëkeq të Korydallos në Greqi, aty ku vuajnë dënimin edhe disa shqiptarë të përfshirë në trafik narkotikësh.

Sipas mediave greke, një person i paidentifikuar hodhi tre pako nga Rruga Nikiforidis drejt oborrit të burgut, për të furnizuar një të burgosur që dyshohet se i kishte kërkuar.

Por tentativa nuk shkoi siç ishte planifikuar. Një nga pakot ra jashtë murit, në rrugë, duke zbuluar përmbajtjen: 63 gramë hashash. Dy pakot e tjera u gjetën menjëherë nga autoritetet brenda territorit të burgut. Në njërën prej tyre kishte 68.9 gramë kokainë të ngurtë, ndërsa në tjetrën u gjetën 409 gramë hashash në formë çokollate.

Sasia e drogës u sekuestrua nga Departamenti i Sigurisë së Korydallos, i cili tashmë ka nisur hetimet për të zbuluar autorin e ngjarjes dhe lidhjet e tij me të burgosurit.