Joel Guerreau, një ish-senator francez 68-vjeçar, është shpallur fajtor për drogimin e deputetes Sandrine Jossot pa dijeninë e saj, me qëllim abuzim seksual. Guerreau është dënuar me katër vjet burg, por do të vuajë një minimum prej 18 muajsh dënim. Ky gjyq, i cili ka tërhequr vëmendjen e medias, ka ndodhur pas një tjetër rasti tronditës në Francë, ku Dominique Pélicot u dënua me 20 vjet burg për drogimin e gruas së tij dhe lejimin e dhjetëra të panjohurve ta përdhunonin atë në shtëpinë e tyre për një dekadë.

Pas shpalljes së vendimit, Sandrine Jossot ka shprehur “lehtësim të madh”, duke theksuar se kishte vuajtur shumë pas këtij incidenti. Avokati i Guerreau ka njoftuar se do ta apelojë këtë vendim.

Sipas prokurorëve, Guerreau e drogoi deputeten pa dashje, duke thënë se ai kishte shtuar ekstazi në një gotë shampanjë në një moment të mëparshëm, për të luftuar një atak paniku, por nuk e përdori më pas dhe e ktheu gotën në dollap. Megjithatë, ai nuk shpjegoi dot si kjo drogë ka përfunduar në gotën e ofruar për Jossot.

Jossot ka rrëfyer në gjykatë se, më 2023, kur kishte shkuar të takonte Guerreau për të festuar rizgjedhjen e tij, ajo filloi të dyshonte se diçka nuk shkonte, kur shampanja që ai i ofroi kishte një shije të çuditshme dhe të ëmbël. Ajo vuri re gjithashtu se, pas disa minutash, ndjeu simptoma shqetësuese si të përziera dhe rrahje të shpejta të zemrës, duke shkuar menjëherë në spital.

Testet toksikologjike zbuluan një përqindje të lartë ekstazie në gjakun e Jossot, dhe gjithashtu u gjet një sasi e ngjashme e drogës në apartamentin e Guerreau. Deputetja raportoi se pas incidentit ka pasur probleme psikologjike dhe fizike dhe ka kërkuar trajtime për më shumë se gjashtë muaj.

Në lidhje me ngjarjen, Guerreau ka shpjeguar se ai e bëri këtë veprim për shkak të një problemi shëndetësor të tij, duke e quajtur veten “idiot”. Më pas, ai ka dhënë dorëheqjen nga Senati dhe është përjashtuar nga partia e qendrës së djathtë Horizons, e cila i përkiste.