Të martën në mbrëmje, Polonia u përball me një tjetër provokim rus, pasi 19 dronë me kosto të ulët, të ndërtuar kryesisht nga materiale si dru dhe shkumë, depërtuan në hapësirën e saj ajrore, duke detyruar NATO-n të vërë në lëvizje sistemet mbrojtëse ajrore.

Edhe pse të gjithë u neutralizuan, ngjarja ngre pikëpyetje serioze për efektivitetin dhe qëndrueshmërinë e mbrojtjes së Aleancës. Kjo pasi dronët kushtojnë vetëm rreth 10.000 dollarë secili, ndërkohë që për t’i rrëzuar u përdorën sisteme tepër të sofistikuara e shumë herë më të shtrenjta, me vlera miliardëshe.

Ekspertja e politikës europiane, Ulrike Franke, i tha Politico se kjo përbën një sfidë të hapur nga Rusia: “Çfarë do të bëjmë? Do të ngremë F-16 dhe F-35 çdo herë që shfaqen këta dronë të lirë? Kjo është e paqëndrueshme”. Sipas saj, NATO duhet urgjentisht të investojë në sisteme të specializuara kundër dronëve.

Sipas raportimeve të WELT, pesë prej dronëve u drejtuan për nga një bazë e NATO-s, por u interceptuan në kohë nga avionë F-35 holandezë. Në këtë kontekst, Polonia aktivizoi Nenin 4 të Traktatit të NATO-s, duke kërkuar konsultime të menjëhershme mbi sigurinë rajonale. Paralelisht, Polonia dhe Letonia mbyllën hapësirat ajrore lindore si masë parandaluese.

Në Londër, ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, kërkoi një rishikim të shpejtë të strategjive të mbrojtjes ajrore, duke e cilësuar rrezikun nga dronët rusë si gjithnjë në rritje.

Aktualisht, NATO mbështetet kryesisht tek sistemet Patriot dhe SAMP/T, që kushtojnë qindra miliona dollarë për njësi, ndërsa Ukraina ka adoptuar mjete më të thjeshta dhe ekonomike, duke përfshirë dronë mbrojtës dhe teknologji elektronike anti-UAV.

Për të shmangur një bilanc ekonomik dhe strategjik të pafavorshëm, vendet e BE-së po testojnë alternativa më të lira. Një prej tyre është raketa suedeze “Nimbrix”, e dizajnuar posaçërisht për të neutralizuar dronë të vegjël me kosto minimale. Megjithatë, procesi i integrimit të inovacioneve të reja mbetet i ngadaltë, pasi shumë shtete ende hezitojnë të adoptojnë teknologjitë e startup-eve të mbrojtjes.

Ekspertët bien dakord se vetëm një qasje e shumëdimensionale – që përfshin kundërmasa elektronike, kinetike dhe autonome – mund t’i japë NATO-s mbrojtjen që i nevojitet. Rreziku i dronëve të lirë, por potencialisht shkatërrimtarë, është tashmë i prekshëm dhe po kërkon zgjidhje të reja strategjike, larg varësisë nga sistemet tradicionale.