Një sulm me dron i kryer nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SSU) ka goditur një nga objektet më të rëndësishme energjetike në Rusi, Rafinerinë e Naftës në Perm, e cila ndodhet mbi 1500 kilometra larg territorit ukrainas.

Pas sulmit, në kompleksin Lukoil-Permnefteorgsintez shpërtheu një zjarr i madh, ndërsa raportimet paraprake bëjnë me dije se flakët përfshinë njësinë kryesore të përpunimit të naftës.

SSU deklaroi se goditja e rafinerive ruse ka rëndësi strategjike, pasi këto objekte furnizojnë me karburant pajisjet ushtarake, avionët dhe logjistikën e ushtrisë ruse.

Sipas autoriteteve ukrainase, industria e përpunimit të naftës është gjithashtu një burim i rëndësishëm financiar për buxhetin e Moskës dhe përdoret për mbështetjen e luftës kundër Ukrainës.

Rafineria e Perm është ndër më të mëdhatë në Rusi, me një kapacitet përpunimi prej rreth 13 milionë tonësh naftë në vit, duke furnizuar si tregun civil, ashtu edhe strukturat ushtarake ruse.