Të paktën 24 persona u vranë dhe mbi 50 të tjerë u plagosën në një sulm me dron ndaj një kafeneje dhe një hoteli në një pjesë të kontrolluar nga Rusia në Kherson të Ukrainës, tha guvernatori rus Vladimir Saldo, cituar nga agjencia e lajmeve ruse Tass.
“Mbrëmë, armiku kreu një sulm të qëllimshëm me dron ndaj një vendi ku civilët po festonin natën e Vitit të Ri. Tre dronë sulmuan një bar dhe një hotel në vendbanimin Khorly, në bregdetin e Detit të Zi. Sipas raportimeve fillestare, mbi 50 persona u plagosën dhe 24 u vranë”, tha ai.
Guvernatori vuri në dukje se sulmi ndodhi rreth mesnatës. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, akuzoi Ukrainën për kryerjen e një “sulmi terrorist” ndaj civilëve. Autoritetet ukrainase nuk e kanë komentuar ende sulmin.
Fshati Khorly ra nën kontrollin rus në fillim të ofensivës së nisur nga ushtria ruse kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Në vjeshtën e vitit 2022, ushtria ukrainase rimorri një pjesë të madhe të rajonit të Khersonit, përfshirë kryeqytetin rajonal, gjatë një kundërsulmi.
Që atëherë, lumi Dniepër ka shënuar vijën e frontit në rajon dhe të dyja palët organizojnë rregullisht sulme vdekjeprurëse me dronë.

