Dronët ukrainas kanë sulmuar një rafineri nafte në Tuapse, pranë Detit të Zi, duke shkaktuar një zjarr të madh në objekt, kanë njoftuar autoritetet ruse.

Sipas burimeve zyrtare dhe industrisë së naftës, rafineria – në pronësi të Rosneft, është goditur disa herë gjatë javëve të fundit. Sulmet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, përfshirë derdhje nafte në det dhe zjarre që kanë kërkuar ditë të tëra për t’u vënë nën kontroll. Raportohet se sulmi i fundit ka goditur edhe terminalin e eksportit në Detin e Zi, duke i vënë sërish flakën zonës së depozitimit të karburantit. Rafineria, e cila prodhon kryesisht për eksport, ishte jashtë funksionit që prej 16 prillit pas një tjetër sulmi me dronë.

Ky zhvillim vjen në një moment kur Ukraina ka intensifikuar goditjet ndaj infrastrukturës energjetike ruse që nga muaji mars, në kushtet kur përpjekjet për paqe të ndërmjetësuara nga SHBA kanë ngecur dhe vëmendja ndërkombëtare është zhvendosur drejt tensioneve në Lindjen e Mesme.

Rafineria e Tuapse ka një kapacitet prodhimi prej rreth 12 milionë tonësh në vit, ose afërsisht 240 mijë fuçi në ditë, duke e bërë atë një objekt strategjik për eksportet ruse të naftës.