Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të dielën se politika e tij e tarifave ka për qëllim të nxisë prodhimin e brendshëm të pajisjeve ushtarake dhe teknologjike, dhe jo të veshjeve të zakonshme si atletet dhe bluzat.
“Ne nuk po kërkojmë të bëjmë atlete dhe T-shirt,” tha Trump para se të hipte në avionin presidencial Air Force One në New Jersey. “Ne duam të prodhojmë pajisje ushtarake, gjëra të mëdha, të merremi me inteligjencën artificiale.”
Duke mbështetur komentet e Sekretarit të Thesarit Scott Bessent, i cili më 29 prill tha se SHBA-së nuk i duhet domosdoshmërisht një “industri tekstile e fuqishme”, Trump theksoi: “Nuk jam i interesuar për çorape. Këto mund t’i prodhojmë diku tjetër. Ne duam të prodhojmë çipa kompjuterikë, tanke dhe anije.”
Komentet e tij shkaktuan reagime nga përfaqësuesit e industrisë së veshjeve. Steve Lamar, president i Shoqatës Amerikane të Veshjeve dhe Këpucëve, tha: “97% e rrobave dhe këpucëve që veshim importohen. Tarifat nuk janë zgjidhje ato vetëm do rrisin kostot për prodhuesit dhe çmimet për konsumatorët, sidomos ata me të ardhura të ulëta.”
Ndërkohë që Trump ka propozuar një tarifë 50% për mallrat nga BE-ja dhe 25% për iPhonët e importuar, ai të dielën zgjati afatin deri më 9 korrik për të zhvilluar bisedime me Brukselin.
Trump, që ka fituar mbështetje të madhe nga punëtorët amerikanë për premtimet e tij për ringjalljen e industrisë vendase, po përpiqet të mbajë fjalën duke përdorur tarifat dhe tërheqjen e investimeve të huaja drejt SHBA-së.
“Unë dua që Amerika të ndërtojë. Të prodhojë. Të udhëheqë në teknologji dhe mbrojtje,” u shpreh Trump.