Presidenti rus Vladimir Putin ka mohuar se Moska po planifikon veprime ushtarake kundër vendeve evropiane, duke i cilësuar paralajmërimet për një kërcënim të mundshëm rus si pjesë të përpjekjeve për të rritur tensionet në kontinent.

Gjatë një prononcimi për mediat në kuadër të Forumit të 12-të të Kulturave të Bashkuara në Shën Petersburg, Putin deklaroi se, sipas tij, disa vende evropiane po e paraqesin Rusinë si një rrezik për sigurinë e tyre për të argumentuar vazhdimin e mbështetjes ndaj Ukrainës.

Kreu i Kremlinit akuzoi ato që i quajti “qarqe agresive” në Evropë se po e përdorin Ukrainën si një instrument për të frenuar Rusinë dhe zhvillimin e saj.

Duke komentuar deklaratat e ministrit estonez të Mbrojtjes, Hanno Pevkur, lidhur me mundësinë e një përplasjeje me Rusinë, Putin i konsideroi ato provokuese. Ai reagoi gjithashtu ndaj diskutimeve për një goditje parandaluese ndaj Rusisë, duke i përshkruar ato si shfaqje të “kllounëve politikë”.

“Cirku është larguar, por kllounët kanë mbetur”, u shpreh presidenti rus.

Putin u ndal edhe te perspektiva e rikthimit të negociatave me Kievin. Ai tha se çdo vendim i Moskës për rifillimin e dialogut do të merret duke pasur parasysh interesat e Rusisë.

Sipas tij, pala ukrainase ka ngritur çështjen e një armëpushimi, përfshirë mundësinë e ndalimit të goditjeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe heqjen e bllokadës ndaj bregdetit rus në Detin e Zi. Megjithatë, Putin pretendoi se, paralelisht me këto propozime, Ukraina vazhdon operacionet e saj kundër objektivave ruse.

Presidenti rus foli gjithashtu për sulmet e fundit ndaj territorit të Rusisë, duke përmendur në veçanti goditjen ndaj Moskës më 20 shtator, si dhe sulmet që, sipas tij, kanë prekur ndërtesa banimi dhe zyrtarë të përfshirë në proceset zgjedhore.

Putin tha se Moska është kundërpërgjigjur ndaj këtyre veprimeve, duke e cilësuar reagimin ushtarak rus si “të ndjeshëm dhe shkatërrues” për forcat ukrainase.

“Ata duhet t’i ndiejnë këto sulme hakmarrëse nga Rusia dhe të kuptojnë se asnjë veprim provokues, asnjë përshkallëzim i situatës nuk do të çojë në rezultatin që ata dëshirojnë. Ata vetëm sa do ta përkeqësojnë pozicionin e tyre”, deklaroi ai.

Në përfundim, presidenti rus përsëriti se Moska nuk ka plane për të sulmuar vendet evropiane. Sipas tij, pretendimet për një rrezik të tillë po përdoren për t’u shpjeguar qytetarëve evropianë vazhdimin e shpenzimeve dhe mbështetjes financiare e ushtarake për Ukrainën.

“Ky është absurditet i plotë”, përfundoi Putin.