Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait po revolucionon përvojën e udhëtarëve me një sistem të ri “korridori i tapetit të kuq”, ku pasagjerët nuk kanë nevojë të ndalojnë për kontrollin e pasaportës.
Ky tunel teknologjik përdor Inteligjencë Artificiale, kamera biometrike dhe të dhëna fluturimi për të identifikuar pasagjerët dhe bagazhet e dyshimta. Përmes tij, kontrolli i sigurisë kryhet për vetëm 6–14 sekonda, ndërsa dhjetë persona mund të kalojnë njëkohësisht, duke e bërë të përshtatshëm për familjet dhe grupet.
Për të përdorur korridorin, të dhënat e pasaportës dhe fotot e udhëtarëve duhet të jenë regjistruar paraprakisht. Aktualisht, ky sistem është i disponueshëm vetëm në Terminalin 3 për fluturimet Business Class, por pritet të zgjerohet edhe në pikat e tjera të aeroportit.
Sisteme të ngjashme ekzistojnë në Singapor, ku Aeroporti Changi përdor AI dhe të dhëna biometrike për të lehtësuar fluturimet. Iniciativa e Dubait synon të bëjë udhëtimin më të shpejtë, të sigurt dhe më komod për vizitorët e qytetit.