Një aksident detar është regjistruar mesditën e së premtes në portin e New Orleans, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një tanker është përplasur me një anije turistike që ndodhej e ankoruar në lumin Misisipi.

Sipas autoriteteve portuale, përplasja ndodhi rreth orës 12:30 me orën lokale, mes tanker-it Atlantic Asphalt dhe anijes turistike American Heritage, në pronësi të kompanisë American Cruise Lines. Në bordin e anijes turistike ndodheshin më shumë se 130 persona, përfshirë pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit.

Menjëherë pas aksidentit, ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje dhe nisën operacionet e shpëtimit. Sipas autoriteteve të qytetit të New Orleans, disa persona janë nxjerrë nga uji, ndërsa kërkimet dhe ndërhyrja për shpëtimin e personave të tjerë vijojnë.

Pamjet e publikuara nga dëshmitarët tregojnë momentin kur tankeri i afrohet anijes turistike dhe më pas përplaset me të. Në pamje të tjera shihen persona në ujë, të pajisur me jelekë shpëtimi, ndërsa ekipet e emergjencës ndërhyjnë për t’i nxjerrë në siguri.

Kompania American Cruise Lines konfirmoi se pasagjerët dhe ekuipazhi i anijes American Heritage janë evakuuar, duke bërë të ditur se po bashkëpunon me Rojën Bregdetare amerikane dhe autoritetet lokale.

Sipas raportimeve të para, anija turistike pësoi dëmtime të konsiderueshme dhe nisi të marrë ujë pas përplasjes. Në komunikimet radio të emergjencave u raportuan gjithashtu persona në ujë dhe nevoja për ndërhyrje të menjëhershme.

Deri më tani nuk ka një bilanc zyrtar për numrin e të plagosurve apo për gjendjen e tyre shëndetësore. Shkaku i aksidentit mbetet gjithashtu i paqartë dhe është nën hetim.

Në reagimin e saj, kompania American Cruise Lines u shpreh se është thellësisht e shqetësuar për të gjithë personat e përfshirë në ngjarje.

Ndërkohë, guvernatori i Luizianës, Jeff Landry, njoftoi se është në kontakt me autoritetet lokale dhe se do të udhëtojë drejt New Orleans. Edhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit në SHBA (NTSB) konfirmoi se është në dijeni të incidentit.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të sqaruar rrethanat e përplasjes.