Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se po humb durimin me Vladimir Putinin, duke i dhënë liderit rus një afat prej dy javësh për të treguar nëse është serioz për bisedimet e paqes me Ukrainën.

“Do ta shohim brenda një jave e gjysmë apo dy javësh nëse ai po na mashtron apo jo. Nëse po, do të përgjigjemi ndryshe,” tha Trump për gazetarët të mërkurën.

Megjithëse bisedimet për armëpushim kanë ngecur, Trump pranoi se “ata duken sikur duan diçka, por pa një marrëveshje të nënshkruar, askush nuk mund të jetë i sigurt.”

Sipas ekspertëve të sigurisë, strategjia e Putinit është të nxisë zhgënjimin dhe zemërimin e Trumpit deri në pikën që SHBA heq dorë nga mbështetja për Kievin. George Barros, analist në Institutin për Studimin e Luftës, tha se Kremlini po luan me nervat e Trumpit për ta nxitur të braktisë Ukrainën.

“Putini po përpiqet ta lodhë Trumpin. Ai do që presidenti amerikan të thotë: ‘Nuk ia vlen më koha ime për këtë’,” u shpreh Barros për The Post.

Në javën e fundit, tensionet mes dy liderëve kanë arritur pikën kritike, me Trump që e quajti Putinin “i çmendur” dhe e paralajmëroi se “po luan me zjarrin”, pas një vale bombardimesh ruse në qytetet ukrainase. Moska u përgjigj duke e tallur Trumpin si “emocional”.

Trump nuk i kurseu kritikat as për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e akuzuar për “retorikë të panevojshme”, ndërsa ndaj administratës Biden lëshoi akuza për paaftësi dhe për dështimin për të arritur një armëpushim.

“Kjo është lufta e Zelenskyt, Putinit dhe Bidenit jo e imja. Unë po përpiqem vetëm të shuaj zjarrin e madh që ata kanë ndezur,” shkroi Trump në Truth Social.

Sipas John Herbst, ish-ambasador amerikan në Ukrainë, komentet e fundit të Trump e kanë bindur Putinin se SHBA-të nuk janë të gatshme për të ndërmarrë masa serioze ndëshkuese.

“Putini e lexon Trumpin ashtu siç ka lexuar liderët perëndimorë që nga lufta në Gjeorgji në 2008 – të gatshëm të flasin fort, por jo të veprojnë,” deklaroi ai.

Trump kishte kërcënuar javën e kaluar me sanksione ndaj Rusisë nëse nuk pranonte një marrëveshje armëpushimi, por deri më tani nuk ka asnjë masë konkrete të ndërmarrë.

Megjithëse strategjia e provokimit mund të ketë funksionuar deri tani, Barros paralajmëron se Putini mund ta ketë keqkuptuar Trumpin.

“Nëse Trump ndjen se po e tallin personalisht, ai mund të kthehet me mbështetje më të madhe për Kievin dhe sanksione më të rënda ndaj Rusisë. Ky është një moment vendimtar për rolin që SHBA do të luajë në këtë konflikt,” përfundon Barros.