Ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë po intensifikohen, një analizë e re tregon se forcat ruse kanë shënuar përparime të ndjeshme në fushën e betejës gjatë muajit nëntor. Sipas grupit të analistëve ushtarakë ukrainas DeepState, trupat ruse kanë pushtuar 505 kilometra katrorë territor ukrainas vetëm gjatë këtij muaji, dyfishi i territoreve të marra në shtator dhe tetor.

Në një raport të publikuar në Telegram, DeepState thekson se rreth 40% e të gjitha fitimeve territoriale ruse janë regjistruar në zonën pranë Khuliaipole, në rajonin e Zaporizhias. Sipas analizës, ofensiva ruse ka qenë veçanërisht agresive në segmentin Khuliaipole–Horikhov, ku janë shënuar rreth 16% e sulmeve.

Situata mbetet e rënduar edhe në drejtimin Pokrovsk–Mirnograd, ku janë kryer 32.5% e të gjitha sulmeve të ushtrisë ruse gjatë nëntorit. Vetëm në këtë sektor, Moska ka marrë nën kontroll 56.5 kilometra katrorë: 35 kilometra katrorë në zonën e Pokrovskut dhe 21.5 kilometra katrorë pranë Mirnogradit, të cilat përbëjnë 11% të totalit të përparimeve të muajit.

DeepState nënvizon se, jashtë këtyre zonave, aktivitetet ruse nuk kanë shënuar rritje të jashtëzakonshme, megjithëse presioni ndaj vijave ukrainase ka qenë i qëndrueshëm. Analistët raportojnë gjithashtu se gjatë nëntorit forcat ruse kanë kryer 5,990 sulme—shifra më e lartë mujore e këtij viti, e tejkaluar vetëm nga dhjetori i vitit 2024.

Termi “katsap”, i përdorur nga analistët në raport, është një shprehje përçmuese që ukrainasit përdorin për rusët.