Italia po përballet me përmbytje për shkak të motit të keq. Dy persona rezultojnë të zhdukur që nga mëngjesi i së hënës, për shkak të stuhive dhe përmbytjeve në Brazzano, në rajonin Friuli Venezia Giulia në verilindje të Italisë.
Mediat aty raportojnë se të humburit janë një burrë 35-vjeçar dhe një grua të moshuar, të cilët dyshohet se u rrëmbyen nga ujërat dhe balta, pas shembjes së pjesshme të një ndërtese në Brazzano. 35-vjeçari u përpoq të ndihmonte gruan e moshuar, por u rrëmbye mga uji bashkë me të.
Mbrojtja Civile dhe zjarrfikësit po përpiqen të gjejnë dy personat e zhdukur, por detyra e tyre është vështirësuar për shkak të sasisë së baltës dhe mbeturinave që kanë bllokuar zonën. Në qytetin e Gorizias, pranë kufirit me Slloveninë, bizneset tregtare dhe shtëpitë njëkatëshe janë përmbytur, duke shkaktuar dëme të mëdha financiare.
Shumë shkolla janë mbyllur dhe shumë rrugë janë përmbytur. Kjo ka bërë që shumë qytetarë të përballen me probleme në lëvizjet e tyre.
