Dy persona, të moshave 20 dhe 27 vjeç, janë arrestuar në ishullin e Rodosit në Greqi, të dyshuar për përfshirje në një seri vjedhjesh dhe tentativash vjedhjeje të regjistruara gjatë muajve qershor dhe korrik 2026.
Sipas autoriteteve greke, hetimet e zhvilluara nga Nëndrejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes Penale në Rodos kanë zbuluar se të dyshuarit lidhen me 12 raste të ndryshme. Gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj tyre dhe në banesën ku qëndronin, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme sendesh, mes tyre helmeta, ikona fetare, objekte me vlerë dhe sende të tjera, të cilat po verifikohen për t’u identifikuar dhe për t’iu kthyer pronarëve të ligjshëm.
Sipas dosjes hetimore, në periudhën 17–30 qershor 2026, dy të rinjtë dyshohet se kanë marrë para dhe sende të vogla nga dy automjete të lëna të pambyllura, ndërsa kanë tentuar të vjedhin edhe në shtatë automjete të tjera duke përdorur të njëjtën metodë.
Ndërkohë, gjatë datave 23–27 korrik 2026, ata dyshohet se kanë hyrë me forcë në një banesë, duke marrë 800 euro para cash dhe sende me vlerë rreth 4,000 euro. Gjithashtu, sipas policisë, janë regjistruar edhe katër tentativa të tjera për hyrje në ambiente të ndryshme me qëllim kryerjen e vjedhjeve.
Pas arrestimit, dy të rinjtë janë paraqitur para autoriteteve të prokurorisë në Rodos, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ata kanë lidhje edhe me ngjarje të tjera të ngjashme.
