Dy tërmete të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë goditën Venezuelën të mërkurën pasdite, duke shkaktuar shembje të disa ndërtesave dhe panik te banorët në kryeqytetin Karakas.

Mediat e huaja shkruajnë se, deri tani autoritetet vendase kanë raportuar për 32 vitkima dhe mbi 700 të plagosur, por numri mund të rritet.

Presidentja në detyrë, Delsi Rodriguez, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në vend. Ajo njoftoi se aeroporti ndërkombëtar që shërben për Karakasin ka pësuar dëme të rënda, si pasojë aktiviteti i tij është pezulluar deri në një njoftim të dytë.

Rodriguez shprehu ngushëllimet për familjet e personave që kanë humbur jetën. Autoritetet vendosën gjithashtu pezullimin e mësimit në shkolla dhe ndërprerjen e përkohshme të shërbimit hekurudhor. Sipas Institutit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), lëkundja e parë sizmike me magnitudë 7.2 u regjistrua në orën 18:04 sipas kohës lokale, në një thellësi prej 21.9 kilometrash dhe rreth 200 kilometra në perëndim të Karakasit.

Vetëm 39 sekonda më vonë, një tërmet i dytë me magnitudë 7.5 goditi zonën, me një thellësi prej 10 kilometrash dhe rreth 45 kilometra larg epiqendrës së parë. Pas dy goditjeve kryesore janë regjistruar rreth 20 pasgoditje të forta.

Në Karakas, ekipet e kërkim-shpëtimit nisën operacionet pranë ndërtesave të shembura. Sipas raportimeve nga terreni, shpëtimtarët nxorën persona nga rrënojat me barela, ndërsa të tjerë u transportuan me ambulanca drejt qendrave spitalore.