Dy ushtarë të Ushtrisë Amerikane dhe një përkthyes civil u vranë në një sulm në Siri të shtunën, sipas Departamentit të Mbrojtjes.

“Tre të tjerë u plagosën në sulm”, tha Sean Parnell, zëdhënësi kryesor i Pentagonit.

“Sulmi ndodhi ndërsa ushtarët po kryenin një angazhim kyç me udhëheqësit. Misioni i tyre ishte në mbështetje të operacioneve të vazhdueshme kundër ISIS-it/kundër terrorizmit në rajon”, tha Parnell, duke shtuar se emrat e të vrarëve do të mbahen të fshehtë derisa të njoftohen të afërmit e tyre.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se sulmuesi u vra nga forcat partnere.
“Le ta dinë, nëse i shënjestroni amerikanët- kudo në botë- do ta kaloni pjesën tjetër të jetës suaj të shkurtër dhe në ankth duke e ditur se Shtetet e Bashkuara do t’ju ndjekin, do t’ju gjejnë dhe do t’ju vrasin pa mëshirë”, tha ai.
Ushtarët amerikanë u qëlluan gjatë një patrullimi të përbashkët me forcat siriane në Sirinë qendrore, sipas agjencisë zyrtare kombëtare të lajmeve SANA.

Trafiku në autostradën midis Deir Ezzor dhe Damaskut u ndalua në lidhje me incidentin.

“Helikopterët amerikanë ndërhynë për të evakuuar të plagosurit në bazën al-Tanf pas incidentit me të shtënat”, raportoi SANA.
Al-Tanf është një bazë amerikane në Sirinë lindore në kufirin me Irakun.