Dy persona kanë ndërruar jetë dhe një tjetër ndodhet në gjendje kritike pas një sulmi me thikë në Nju Jork.

Mediat amerikane shkruajnë se, autorja e dyshuar e sulmit është një 49-vjeçarje, e cila dyshohet se sulmoi me thikë dy persona brenda rreth 20 sekondash.

Nga informacionet e para thuhet se, fillimisht ajo goditi me thikë në bark një 68-vjeçar, teksa ai po dilte nga një stacion metroje dhe po priste të kalonte rrugën. Më pas, ajo sulmoi fatalisht një 32-vjeçare, duke e goditur gjithashtu në bark.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30, në një prej zonave më të frekuentuara të Nju Jorkut.

Pas sulmit, autorja u drejtua drejt një zone ku ndodhet një nënstacion i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD). Efektivët e policisë e vunë re teksa mbante dhe tundte thikën në drejtim të tyre.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet dramatike, ndërsa dhjetëra kalimtarë ndodheshin pranë vendngjarjes. Në video, gruaja, e veshur me një bluzë rozë, xhinse dhe një çantë, shihet duke mbajtur thikën dhe duke iu afruar efektivëve.

Fillimisht, policia tentoi ta neutralizonte duke përdorur një armë elektrike. Megjithatë, sipas autoriteteve, gruaja hoqi elektrodat dhe vijoi përballjen me efektivët.

Kur ajo nisi të lëvizte në drejtim të policëve duke mbajtur thikën të drejtuar nga ata, një prej efektivëve hapi zjarr.

Menjëherë pas të shtënave, efektivët iu afruan gruas për t’i dhënë ndihmën e parë.Shefja e Policisë, Jessica Tisch, deklaroi se efektivët kishin komunikuar me gruan për rreth katër minuta dhe i kishin dhënë urdhra për të hedhur thikën, por ajo kishte refuzuar.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e sulmit.