Gjashtë spitale në Mançester janë mbyllur këtë mëngjes pas një ngjarjeje të rëndë që ndodhi në zonën Crumpsall, ku një automjet u përplas qëllimisht me një turmë dhe një person tjetër u ther me thikë pranë Sinagogës së Kongregacionit Hebraik të Parkut Heaton. Sulmi ndodhi në orën 09:31 të mëngjesit, në ditën e Yom Kippur, më e shenjta në kalendarin hebraik.
Policia konfirmoi se katër persona janë plagosur, ndërsa dy prej tyre dyshohet se kanë ndërruar jetë nga plagët e marra. Autori i dyshuar u qëllua për vdekje nga forcat e policisë në vendngjarje.
Gjashtë spitale, përfshirë Salford Royal, Fairfield General, Rochdale Infirmary, Royal Oldham, North Manchester dhe Tameside, janë vendosur në mbyllje të përkohshme si masë sigurie, ndërsa forcat e armatosura dhe njësitë e emergjencës janë në gatishmëri.
Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë momentin dramatik kur forcat e armatosura u përballën me autorin. Në video dëgjohen oficerët që bërtasin:
“Të gjithë largohuni, ai ka një bombë, largohuni!”
Më pas, autori shihet duke u përpjekur të ngrihet nga toka përpara se të qëllohet me armë zjarri dhe të bie përsëri pa ndjenja. Jashtë portave të sinagogës shihet gjithashtu një person tjetër i shtrirë në tokë, me gjak rreth kokës, i palëvizshëm.
Më vonë, një kamion i njësisë për asgjësimin e bombave mbërriti në vendin e ngjarjes, çka ka shtuar frikën për një kërcënim të mundshëm me eksploziv.
Burime të policisë për Daily Mail thonë se është “shumë herët” për të përcaktuar motivet e autorit, ndërsa hetimet janë në fazë të hershme. Autoritetet nuk kanë përjashtuar ende asnjë pistë, përfshirë atë të terrorizmit.
Komuniteti lokal hebraik dhe qyteti i Mançesterit ndodhen nën tronditje, ndërsa masat e sigurisë janë rritur ndjeshëm në të gjithë zonën.