Një hetim i gjerë është hapur nga autoritetet tajlandeze për të përcaktuar nëse neglizhenca ka qenë shkaku i zjarrit tragjik që përfshiu një lokal nate në Bangkok mbrëmjen e së dielës. Të mbijetuarit kanë deklaruar se disa dyer ishin të mbyllura dhe se mungonin sinjalizimet e qarta për daljet e emergjencës, duke e bërë të pamundur evakuimin në kohë.

Sipas policisë, përdorimi i materialeve lehtësisht të ndezshme në dekorin e lokalit mund të ketë favorizuar përhapjen e menjëhershme të flakëve, të cilat shpërthyen pranë skenës.

“Kjo tregon mungesë kujdesi dhe shpërfillje ndaj sigurisë së klientëve”, deklaroi të hënën drejtori i Policisë, gjenerali Kittiratt Phanphet.

Bilanci i tragjedisë ka arritur në të paktën 30 viktima, ndërsa dhjetëra persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ekipet e shpëtimit gjetën shumë prej viktimave në tualetet e lokalit, ku besohet se ishin përpjekur të strehoheshin ose të gjenin një rrugëdalje, por nuk kishin mundur të shpëtonin.

Deri të martën në mëngjes, autoritetet kishin identifikuar 27 prej viktimave, ndërsa mbi 70 persona vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor. Nga këta, 24 ndodhen në gjendje kritike.

Hetimet paraprake tregojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një qark i shkurtër në një kondicioner, i cili ndërpreu menjëherë furnizimin me energji elektrike në të gjithë lokalin.

Megjithatë, persona që kishin frekuentuar më herët lokalin kanë deklaruar se ambienti ishte edhe zakonisht shumë i errët. Një kliente, Phatsara Khamloet, e cila kishte qenë atje në muajin maj, tha për BBC Thai se për të shkuar në tualet duhej të ndiqje një korridor të ngushtë dhe me kthesa, ndërsa daljet nuk ishin të sinjalizuara siç duhet.

Ekspertja e sigurisë kundër zjarrit, Busakorn Saensuk, nga Instituti i Inxhinierisë së Tajlandës, e cila inspektoi lokalin pas ngjarjes, tha se dera pranë tualeteve rezultoi e kyçur, ndërsa dy hyrjet kryesore ishin pjesërisht të bllokuara nga mobiliet dhe objekte të tjera.

Sipas saj, në situata të tilla njerëzit reagojnë instinktivisht duke u larguar nga flakët, çka shpjegon pse shumë klientë u drejtuan drejt pjesës së pasme të lokalit, aty ku ndodheshin tualetet.

“Por sapo arritën atje, nuk kishin më asnjë rrugëdalje. Nëse tabelat e emergjencës do të ishin të ndriçuara, njerëzit do ta kishin kuptuar që dera ishte e mbyllur dhe ndoshta do të kishin mundur ta hapnin”, u shpreh ekspertja.

Ajo shtoi gjithashtu se skena ishte dekoruar me materiale shumë të ndezshme, si lule plastike, ndërsa tavani ishte i mbuluar me shkumë sintetike, materiale që favorizuan përhapjen e flakëve.

Të mbijetuarit kanë rrëfyer se zjarri përfshiu skenën brenda pak sekondash. Tragjedia preku edhe grupin tajlandez të muzikës indie Thotsakan, i cili po performonte në momentin e shpërthimit të zjarrit dhe humbi dy prej anëtarëve të tij.