Një tjetër aksident tragjik që ndodhi në fillim të muajit Tetor me Xiaomi SU7 ka ndezur sërish debatin rreth dyerve elektronike që po vrasin njerëz. Makina, një bishë elektrike me 1,500 kuaj fuqi, u përplas në një autostradë në Kinë dhe shpërtheu në flakë.

Shoferi, një 31-vjeçar i quajtur “Deng”, mbeti i bllokuar brenda sepse dyert elektronike nuk u hapën dot.

Pamjet që qarkullojnë në rrjet tregojnë kalimtarë të tmerruar që përpiqen të hapin derën, por pa asnjë mënyrë manuale jashtë, gjithçka ishte e kotë. Kur arritën zjarrfikësit, bateria kishte hyrë në thermal runaway, momenti kur përvolohet gjithçka dhe nga makina mbeti vetëm struktura metalike.

Edhe pse Xiaomi nuk është fajtor direkt për aksidentin, rrjeti shpërtheu me akuza. Sepse nuk është hera e parë, në muajin Mars, një tjetër SU7 mori flakë dhe vrau tre studentë. Aksidenti i fundit uli ndjeshëm edhe aksionet e kompanisë në bursën e Hong Kongut, me mbi 9% rënie brenda ditës.

Këto dyer futuriste, që filluan me Tesla Model S, u krijuan për t’u dukur “të bukura” dhe për të kursyer pak energji. Por në realitet, po kushtojnë jetë. Ky rast aksidenti tregoi qe sistemi elektronik dështoi. Edhe pse brenda ka një çelës emergjence, ai është pothuajse i paarritshëm në moment paniku.

Autoritetet kineze tashmë kanë reaguar. Po përgatisin rregulla të reja që ndalojnë dorezat e tërheqshme dhe detyrojnë sistemet manuale emergjente deri në vitin 2027. Edhe Tesla është detyruar të ridizenjojë dyert e veta.