Ish-komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali në pension i Forcave Ajrore të SHBA-së, Philip Breedlove, ka theksuar se çdo mision i ardhshëm paqeruajtës në Ukrainë do të mbështetet jo në vijën e frontit, por qindra kilometra më larg, në territorin rumun. Në një intervistë për “Kyiv Post”, ai nënvizoi se bazat ajrore strategjike të Rumanisë do të jenë thelbësore për stabilizimin e Ukrainës pas konfliktit, duke e quajtur bazën Mihail Kogălniceanu (MK) “Ramstein-in e Lindjes”, në analogji me bazën gjermane që prej dekadash shërben si qendër kryesore e operacioneve të NATO-s.
“Baza MK, falë pozicionit të saj gjeostrategjik, është jashtëzakonisht e rëndësishme për çdo operacion në Ukrainë”, tha Breedlove.
Dyfishimi i trupave
Fillimisht ishte parashikuar vendosja e 10,000 trupave të NATO-s në këtë bazë, por burime të tjera bëjnë me dije se edhe 10,000 efektivë shtesë mund të stacionohen përkohësisht. Ky kontingjent i përforcuar do të shërbente në rast se Rusia nuk respekton një marrëveshje të mundshme paqeje ose nëse ndonjë shtet i NATO-s do të përballej me një kërcënim të drejtpërdrejtë. Përveç trupave, baza do të menaxhojë logjistikën e furnizimeve ushtarake perëndimore për Ukrainën – raketa, municione dhe mjete të blinduara – që do të kalojnë kufirin vetëm kur rrugët e transportit të jenë të sigurta.
Roli strategjik i bazës
Mihail Kogălniceanu është një ndër projektet më të mëdha të modernizimit ushtarak të Rumanisë, me kosto rreth 2.7 miliardë dollarë. Bukureshti kërkon gjithashtu 432 milionë dollarë fonde nga BE për ta mbështetur këtë zgjerim. Sipas planit, deri në vitin 2040 baza pritet të tejkalojë Ramstein-in dhe të bëhet më e madhja në Evropë, duke e vendosur Rumaninë në qendër të mbrojtjes kolektive të NATO-s dhe të mbështetjes për Ukrainën. Kryeministri Ilie Bolojan ka deklaruar se, edhe pse Rumania nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë, ajo është e gatshme të vërë në dispozicion infrastrukturën e saj ushtarake për aleatët.
Përshkallëzimi i tensioneve
Në lidhje me rrezikun e përshkallëzimit me Rusinë, Breedlove theksoi: “Është Putini ai që po e përshkallëzon konfliktin. Ai kërkon të na frikësojë përmes këtij mekanizmi të njohur si ‘kontroll refleksiv’. Nuk duhet të kufizohemi nga frika e përshkallëzimit, sepse është e qartë se Rusia po e rrit intensitetin. Ne duhet të marrim vendimet që shërbejnë për paqen”.
Sipas tij, suksesi i një misioni paqeruajtës në Ukrainë do të varet ndjeshëm nga Rumania – jo vetëm për shkak të logjistikës, por edhe si një faktor besimi dhe kohezioni brenda vetë NATO-s.