Një gjykatë në Kolumbi ka vendosur sekuestrimin e një vile në pronësi të ish-portierit legjendar të kombëtares, René Higuita, pasi dyshohet se prona ka qenë fillimisht pjesë e pasurive të financuara nga karteli i drogës i Pablo Eskobarit.

Sipas autoriteteve gjyqësore, vila është blerë fillimisht me para që rridhnin nga aktiviteti kriminal i kartelit të Medellinit, përpara se të kalonte në pronësi të Higuitës në vitin 1992.

Ish-portieri 59-vjeçar, i njohur me nofkën “El Loco”, është prej vitesh nën hetim në lidhje me origjinën e pronës. Procedimi nisi në vitin 2014, kur Prokuroria kolumbiane hapi një hetim për të verifikuar mënyrën se si ishte siguruar vila, e cila ndodhet në lagjen elitare El Poblado, në Medellin.

Medellini është jo vetëm qyteti i lindjes së Higuitës, por edhe vendi ku Pablo Eskobari ndërtoi perandorinë e tij të narkotikëve, përpara se të vritej nga policia kolumbiane në vitin 1993.

Pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë, Higuita reagoi publikisht duke bërë të ditur se do ta ankimojë atë. Ish-futbollisti këmbëngul se e ka blerë vilën në mënyrë plotësisht të ligjshme gjatë viteve ’90, duke përdorur të ardhurat e krijuara nga karriera e tij sportive.

Ai ka mohuar vazhdimisht çdo lidhje me organizatat e trafikut të drogës dhe pretendon se nuk ka pasur asnjë rol në aktivitetet kriminale që lidhen me pronën përpara se ajo të kalonte në pronësinë e tij.