Një punonjëse e degës postare në Elbasan është vënë në hetim, pasi dyshohet se ka përvetësuar një shumë prej 330 mijë lekësh nga pagesat që qytetarët bëjnë në sportel. 48-vjeçarja, e identifikuar me inicialet E. Rr., ka hyrë në sistemin elektronik të postës duke përdorur kredencialet e një kolegeje dhe ka tërhequr paratë në mënyrë të paligjshme.

Rasti është zbuluar gjatë një verifikimi të zakonshëm për veprimet financiare në degën postare të qytetit. Hetuesit kanë nisur një procedim penal ndaj punonjëses për vjedhje, ndërsa çështja është duke u ndjekur nga Prokuroria për të zbardhur mënyrën se si janë marrë paratë dhe për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë.

Njoftimi i Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit:

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë referuar materialet në Prokurori, duke nisur procedimin penal për shtetasen E. Rr., 48 vjeçe, punonjëse e degës postare të Elbasanit. Ajo dyshohet se ka përvetësuar 330 mijë lekë nga pagesat e qytetarëve, duke vepruar në sistemin elektronik të institucionit dhe duke përdorur kredencialet e një kolegeje.

Hetimet vijojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe për të identifikuar çdo person tjetër të mundshëm të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.