Një shtetas jordanez, i cili kishte kërkuar azil në Irlandë, është vënë në qendër të hetimeve për vdekjen e partneres së tij amerikane, pasi dyshohet se u largua nga vendi menjëherë pas ngjarjes.
Sipas mediave britanike, 28-vjeçari Ahmad Al-Saqar kishte hyrë fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar si turist, duke përdorur një autorizim elektronik udhëtimi (ETA), dhe më pas kishte kaluar në Irlandën e Veriut, përpara se të hynte në Republikën e Irlandës, ku përfitoi mbrojtje humanitare.
Ngjarja lidhet me vdekjen e 43-vjeçares amerikane Jamey Carney, e cila u gjet pa shenja jete në banesën e saj në Killarney, në qarkun Kerry, më 7 korrik. Trupi u zbulua nga vajza e saj 13-vjeçare, e cila ishte kthyer në shtëpi pas një nate jashtë.
Sipas rezultateve paraprake të autopsisë, shkaku i vdekjes ishte mbytja, ndërsa mediat raportojnë se viktima kishte pësuar edhe goditje me një kapak rezervuari tualeti.
Hetuesit irlandezë dyshojnë se Al-Saqar u largua nga banesa në orët e para të mëngjesit të 7 korrikut dhe udhëtoi fillimisht drejt Stambollit, për të vijuar më pas në Jordani. Ai është arrestuar nga autoritetet jordaneze, ndërsa procedurat për rikthimin e tij në Irlandë mbeten të paqarta për shkak të mungesës së një marrëveshjeje ekstradimi mes dy vendeve.
Sipas raportimeve, dy oficerë të policisë irlandeze kanë udhëtuar në Jordani për të diskutuar mundësinë e transferimit të tij, me qëllim që ai të përballet me një akuzë të mundshme për vrasje.
Autoritetet bëjnë me dije se 28-vjeçari kishte përfituar status mbrojtjeje plotësuese në Irlandë, i cili u jepet personave që nuk plotësojnë kriteret për status refugjati, por që rrezikojnë të pësojnë dëme serioze në vendin e origjinës. Ky status i kishte mundësuar edhe rikthimin e pasaportës, çka, sipas raportimeve, i lejoi të largohej nga Irlanda përpara se të lëshohej një urdhër-arrest.
Megjithëse ai nuk është shpallur zyrtarisht i dyshuar nga policia irlandeze, autoritetet e konsiderojnë një person me interes të veçantë për hetimin.
Sipas mediave, Jamey Carney ishte zhvendosur në Irlandë në vitin 2021 dhe ishte njohur me Al-Saqar gjatë një proteste pro-palestineze. Familjarët e saj e kanë përshkruar si një grua të përkushtuar ndaj mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ndihmës ndaj të tjerëve.
Policia irlandeze vijon hetimet dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që disponojnë informacion të dobishëm për rastin të kontaktojnë autoritetet.
