Një intervistë e shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susan Wiles për “Vanity Fair” ka shkaktuar një “tërmet” të vërtetë brenda kampit të Presidentit amerikan. Ajo ka bërë komente jo shumë të mira për vetë Trump, Elon Musk, J.D. Vance dhe zyrtarët e lartë.

Trump është një president i nxitur nga një frymë hakmarrjeje për kundërshtarët e tij politikë dhe ka një “mentalitet alkooliku”, ka thënë Wiles, një nga bashkëpunëtoret besnike dhe të ngushta të Trump. Ai e ka quajtur atë si “gruan më të fuqishme në botë”. Edhe CNN ka shkruar më herët se është Wiles ajo që e “drejton Shtëpinë e Bardhë në një mënyrë që nuk përpiqet të frenojë impulset e Trump”.

E megjithatë, kjo nuk e pengon Trumpin që të injorojë plotësisht këshillat e saj për një sërë çështjesh të mëdha, siç janë faljet për figurat kontroverse dhe deportimet.

Mentaliteti i Trumpit

Presidenti qeveris me logjikën se “nuk ka asgjë që ai nuk mund të bëjë — absolutisht asgjë”, ka theksuar Wiles.

“Alkoolistët me funksione të larta ose alkoolistët në përgjithësi kanë një personalitet të ekzagjeruar kur pinë”, ka thënë ajo, madje duke shpjeguar se “unë jam paksa eksperte për personalitetet e mëdha”, pasi edhe vetë u rrit nga një baba alkoolik, komentatori legjendar i sportit Pat Summerall.

Ajo pranon se “mund të ketë një element hakmarrjeje” në ndjekjet penale të kundërshtarëve politikë të Trump. “Nuk mendoj se ai zgjohet në mëngjes duke menduar për hakmarrje. Por kur të ketë mundësi, ai do ta shfrytëzojë”, shtoi ajo.

Megjithatë, Wiles pranoi se Trump nuk kishte prova për të mbështetur akuzën e tij se Bill Clinton vizitoi ishullin privat të pedofilit të dënuar të vetëvrarë në burg Jeffrey Epstein. Kur “Vanity Fair” pyeti nëse kishte diçka inkriminuese për Clinton në dosjet e Epstein, ajo citohet se ka thënë: “Presidenti e kishte gabim për këtë.”

Rrethi i Trumpit

Ajo që bie në sy në deklaratat e Wiles janë vlerësimet negative për bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit. Për Zëvendëspresidentin J.D. Vance ajo thotë se ai “ka qenë një teoricien konspiracioni për një dekadë” dhe nënkupton se transformimi i tij nga kritik i Trump në aleat besnik ishte “disi politik”. Madje ajo e përshkroi atë si një pasardhës të mundshëm të Trump, ashtu si edhe Marco Rubio, i cili gjithashtu kaloi nga kritik në mbështetës të presidentit aktual.

Elon Musk sipas Wiles është një “përdorues i deklaruar i ketaminës” dhe “një tren misterioz, siç mendoj se janë gjenitë”. Ajo gjithashtu thotë se vendimi i Musk për të shpërbërë Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAid) e la “pa fjalë”.

Për prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi, Wiles thotë se ajo “humbi plotësisht kontrollin” në trajtimin e dosjeve Epstein. Lëvizja e Bondi për t’i dhënë dosje me materiale të çështjes një grupi ndikuesish konservatorë ishte “krejtësisht e dështuar”, sepse “ky ishte grupi që ishte i interesuar për çështjen”.

Lidhur me deportimet e emigrantëve, Wiles tha se administrata duhet ta “shqyrtojë më nga afër” situatën për të shmangur gabimet serioze.

Lidhur me Venezuelën, ajo ka thënë se Trump “dëshiron të vazhdojë të hedhë në erë anijet derisa Maduro të dorëzohet. Njerëz shumë më të zgjuar se unë për këtë çështje thonë se ai do ta bëjë këtë”. Megjithatë, Trump do të duhet të kishte nevojë për miratimin e Kongresit për të kryer sulme ndaj Venezuelës, të cilat ai ka thënë se “do të ndodhin së shpejti”.

Në intervistë, Wiles tha se ajo i kërkoi Trump të mos i falte protestuesit e dhunshëm që sulmuan Kapitolin më 6 janar 2021, por ai e injoroi atë. Ajo tha se i bëri presion, pa sukses, që të vononte njoftimin e tarifave të mëdha, duke zbuluar “mosmarrëveshje të jashtëzakonshme” mes këshilltarëve të tij.

Pas publikimit të intervistës Wiles u shpreh se ajo që ka deklaruar është nxjerrë “jashtë kontekstit” në artikull.

“Artikulli është i pasinqertë. Ai më shënjestron mua dhe presidentin, stafin e Shtëpisë së Bardhë dhe Kabinetin më të mirë në histori”, – shkroi Wiles në X. “Një sasi e konsiderueshme konteksti u injorua dhe shumë nga ato që unë dhe të tjerët thamë për ekipin dhe Presidentin nuk u përfshinë në artikull. Pasi e lexova, supozoj se kjo është bërë për të krijuar një imazh jashtëzakonisht kaotik dhe negativ të presidentit dhe ekipit tonë.”

Në një deklaratë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, tha se Trump “nuk ka këshilltare më të rëndësishme ose besnike se Susie”. Ajo shtoi se “e gjithë administrata është mirënjohëse për udhëheqjen e saj të palëkundur dhe e mbështet plotësisht”.

Pasi intervista u botua, CNN raporton se këshilltarët dhe aleatët e Trump u habitën nga vlerësimet e saj të drejtpërdrejta. A është hakmarrje, dëshirë për t’u larguar nga Shtëpia e Bardhë apo një keqkuptim me gazetaren?

Cilado qoftë pyetja ose përgjigjja, ajo për të cilën të gjithë ranë dakord ishte se Wiles është një nga njerëzit më të kujdesshëm në Shtëpinë e Bardhë, kështu që ajo që tha kishte një kuptim. Ndoshta diçka të rëndësishme./TEMA