Kamala Harris mund të vazhdojë trashëgiminë e Joe Biden, i cili i hapi rrugën dhe i dha mundësinë që të bëhet gruaja e parë me ngjyrë dhe me prejardhje aziatike në postin e presidentes së SHBA-ve.

Lindur në vitin 1964 në Oklend të Kalifornisë nga dy prindër emigrantë, Harris nuk shkëlqeu shumë në postin e zëvendës presidentes, duke zhgënjyer ata që prisnin shumë prej saj. E diplomuar në universitetin prestigjioz të Houardit, ajo ishte konsideruar si versioni femëror i Barack Obama për shkak të oratorisë dhe aftësisë për të mbledhur turmat, të paktën deri pak kohë më parë.

Përpara se të fitonte një vend në Senat në 2016-n, ajo ka qenë prokurore e San Franciskos. Një herë, vetë Obama e cilësoi “prokuroren më të bukur të vendit”, edhe pse më vonë kërkoi falje. Sidoqoftë, me ish-presidentin atë e lidh një miqësi e hershme dhe ishte pikërisht administrata e tij ajo që e propozoi për gjyqtare në Gjykatën Supreme.

Si senatore, Harris i shpalli menjëherë luftë Donald Trump dhe sulmet e saj ndaj zyrtarëve të tij u bënë virale dhe e akredituan përpara elektoratit demokrat. Prej këtej lindi dhe ambicia për të garuar për Shtëpinë e Bardhë, një përpjekje që nuk pati sukses edhe pse ajo kishte arritur të dominonte ndaj rivalëve më të zëshëm të Biden gjatë zgjedhjeve primare. Vetë Harris ka qenë një kritike e Biden, të cilin në një rast nuk ngurroi ta quante “Xho, i përgjumuri”.

Por pavarësisht përplasjes, ajo u zgjodh si numri dy në garën kundër Trump. Gjatë 4 viteve në presidencë, ajo nuk është shkëputur dot nga hija e Biden dhe nuk ka arritur të bëjë për vete ekranet televizive. Por po rikuperon terren dhe imazhin e saj për shkak të disa çështjeve, si aborti.

Tani, në moshën 59-vjeçare ajo ka mundësinë ta arrijë qëllimin e saj. Motoja e saj është një këshillë që e ëma i dha kur ishte e vogël: “Mund të dalësh e para, por sigurohu që të mos jesh kurrë e fundit”.