Një nga figurat më të diskutueshmetë politikës polake, ish-ministri i Drejtësisë Zbigniew Ziobro është kthyer në qendër të një përplasjeje politike dhe diplomatike mes Polonisë dhe SHBA-së. Ziobro, i cili është ende deputet dhe një nga drejtuesit e partisë opozitare konservatore “Ligj dhe Drejtësi” (PiS), akuzohet në Poloni për shpërdorim fondesh publike dhe përdorim të sistemit të përgjimit Pegasus kundër kundërshtarëve politikë.
Autoritetet polake kërkojnë që ai të rikthehet në vend për t’u përballur me 26 akuza penale, por politikani ka zgjedhur të largohet jashtë vendit. Fillimisht ai qëndroi në Hungari, ku mori azil politik nga qeveria e ish-kryeministrit Viktor Orbán. Por pas ndryshimeve politike në Budapest dhe paralajmërimeve për ekstradim, Ziobro u zhvendos në SHBA. Sipas raportimeve, ai ka hyrë në Amerikë me vizë gazetari dhe po punon për median e djathtë polake “TV Republika”. Ministri i Jashtëm polak Radosław Sikorski deklaroi se Varshava po verifikon nëse Ziobro ka mashtruar autoritetet amerikane për të marrë vizën.
“Ai duhet të përballet me akuzat”, tha Sikorski gjatë një forumi ndërkombëtar në Pragë. Sipas tij, Polonia i ka shprehur edhe SHBA-së pakënaqësinë për praninë e Ziobros në territorin amerikan. Vetë ish-ministri i ka quajtur akuzat “të fabrikuara politikisht” nga qeveria e kryeministrit Donald Tusk dhe ka paralajmëruar se do ta luftojë çdo kërkesë ekstradimi në gjykatat amerikane.
Çështja ka marrë edhe dimension politik ndërkombëtar, pasi administrata e presidentit amerikan Donald Trump konsiderohet e afërt me partinë konservatore polake PiS. Sipas Reuters, një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit kishte kërkuar përshpejtimin e procedurës për vizën e Ziobros. Ndërkohë, ministri polak i Jashtëm pretendon se Ziobro po e përdor vizën e gazetarit për aktivitet politik.
“Ai nuk është gazetar. Në rrjetet sociale po thotë hapur se do të udhëtojë nëpër SHBA për të organizuar komunitetet polake. Kjo nuk është punë gazetarie”, deklaroi Sikorski.
Rasti shihet si një tjetër episod i luftës së ashpër politike në Poloni mes qeverisë pro-europiane të Donald Tusk dhe kampit konservator nacionalist të “Ligj dhe Drejtësi”, që drejtoi vendin për vite me radhë.
