Një alpinist austriak është shpallur fajtor për vrasje nga pakujdesia pasi partnerja e tij humbi jetën nga hipotermia gjatë një ngjitjeje në malin më të lartë të Austrisë, Grossglockner.
I identifikuar vetëm si Thomas P, për shkak të rregullave të privatësisë, ai u dënua me pesë muaj burg dhe një gjobë prej 9,600 eurosh. Ngjarja ndodhi në janar të vitit 2025, kur e dashura e tij, Kerstin G, ndërroi jetë në kushte të vështira dimërore.
Gjyqtari Norbert Hofer, vetë alpinist me përvojë dhe pjesë e ekipeve të shpëtimit malor në Tirol, vlerësoi se Thomas ishte një alpinist i aftë, por theksoi se partnerja e tij nuk kishte eksperiencën e duhur për ngjitje në kushte ekstreme dimri. Sipas tij, çifti duhej të ishte kthyer mbrapsht.
Në gjyq dëshmoi edhe ish-partnerja e Thomas, Andrea B, e cila rrëfeu se gjatë një ngjitjeje në vitin 2023 ai e kishte lënë vetëm në mal, duke e bërë të ndihej e frikësuar dhe e pambrojtur.
Trupi i Kerstin u gjet nga ekipet e shpëtimit mbi një shkëmb, pa doreza, ndërsa temperaturat kishin zbritur në -8°C, me erëra që arrinin deri në 74 km/h, duke krijuar një temperaturë të ndjerë rreth -20°C. Prokuroria argumentoi se Thomas, si personi më me përvojë, kishte rolin e udhëheqësit dhe dështoi të kërkonte ndihmë në kohë.
Sipas akuzës, çifti mbeti i bllokuar në mal dhe ai nuk telefonoi menjëherë autoritetet, madje nuk dha sinjale emergjence kur një helikopter kaloi mbi ta rreth orës 22:30. Ai kontaktoi policinë malore vetëm rreth orës 00:35 të 19 janarit dhe më pas vazhdoi ngjitjen drejt majës, duke e lënë partneren pas. Kerstin u gjet e vetme nga ekipet e shpëtimit rreth orës 02:00 të mëngjesit.
Thomas P mohoi fajësinë, duke deklaruar se ndihej thellësisht i tronditur nga humbja dhe se e dashura e tij ishte sportive dhe e përgatitur. Avokati i tij argumentoi se ata u përballën me një situatë të papritur dhe shumë stresuese, duke kundërshtuar pretendimin se Kerstin ishte e papërvojë.
