Një ngjarje e rëndë ka tronditur bregdetin lindor të Anglisë, ku dy persona humbën jetën pasi u futën në det për të ndihmuar një vajzë të re që u mor nga dallgët e fuqishme. Tragjedia ndodhi pasditen e së premtes në zonën bregdetare të Withernsea, në qarkun East Yorkshire.
Sipas policisë, alarmi u ngrit rreth orës 15:15, kur u raportua se disa persona ndodheshin në vështirësi në ujë për shkak të kushteve ekstreme detare. Pas një operacioni të gjatë kërkim-shpëtimi, autoritetet konfirmuan se dy trupa u nxorën nga deti. Një nga viktimat është identifikuar si një burrë 67-vjeçar, ndërsa për viktimën e dytë nuk janë bërë ende publike detaje të plota.
Dëshmitarë okularë kanë deklaruar se vajza ndodhej pranë shkallëve që zbresin drejt plazhit, kur një dallgë e madhe e goditi dhe e tërhoqi në det. Sipas pronarit të një lokali pranë bregut, pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë qartë momentin kur ajo u rrëzua në ujë nga forca e dallgëve. Persona të shumtë u përpoqën ta ndihmonin, përfshirë familjarë dhe kalimtarë të rastit, por kushtet ishin jashtëzakonisht të rrezikshme.
Shërbimet emergjente, përfshirë HM Coastguard, policinë dhe ekipet e shpëtimit detar, u angazhuan me helikopterë, mjete ajrore dhe ekipe në terren. Megjithatë, për shkak të dallgëve që arrinin deri në tre metra dhe motit të rëndë, operacioni u përball me vështirësi të mëdha.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kërkimi për një person të tretë, i cili rezulton ende i zhdukur, është ndërprerë dhe nuk do të rifillojë. Policia ka theksuar se rrethanat e ngjarjes nuk konsiderohen të dyshimta.



