Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Rimini të Italisë, ku një çift prindërish me origjinë nga Bangladeshi janë arrestuar pasi kanë dhunuar vajzën e tyre për shkak se ajo refuzoi të martohej me një burrë të zgjedhur prej tyre.
Sipas mediave italiane, prindërit nëna 42 vjeçe dhe babai 55 kishin planifikuar një martesë të detyruar në Bangladesh dhe kishin mashtruar vajzën duke i thënë se do të vizitonin gjyshen e sëmurë. Vajza, e cila kishte jetuar në Itali që nga mosha 7-vjeçare, u detyrua të udhëtonte drejt Dakës në dhjetor 2024, ku iu morën dokumentet dhe u mbajt nën vëzhgim të rreptë. Ajo u kërcënua, u dhunua dhe u detyrua të merrte ilaçe për nxitjen e shtatzënisë dhe qetësues për t’i thyer vullnetin.
Hetimet e Prokurorisë së Riminit zbuluan se vajza kishte arritur të rezistonte dhe të kërkonte ndihmë përmes një shoqeje dhe një qendre antidhunë, me ndihmën e së cilës u vu në kontakt me autoritetet italiane.
Në prill të këtij viti, me kthimin e familjes në Itali, karabinierët ndërhynë menjëherë në Aeroportin e Bolonjës dhe morën vajzën në mbrojtje, duke e dërguar në një vend të sigurt. Prindërit u arrestuan më vonë në banesën e tyre dhe aktualisht ndodhen në arrest shtëpie, në pritje të hetimeve të mëtejshme. Ata mbrohen nga avokatja Valentina Vulpinari.
Arrestimi u krye me urdhër të gjyqtarit hetues Raffaele Deflorio dhe me miratim të Ministrit të Drejtësisë, Carlo Nordio.
Rasti ka tronditur opinionin publik italian dhe ka rihapur debatet mbi martesat e detyruara dhe dhunën patriarkale në disa komunitete emigrante. Autoritetet vlerësuan guximin e vajzës, e cila, pavarësisht presionit dhe dhunës, arriti të shpëtojë vetë dhe të denoncojë abuzimin.