Shfrytëzimi seksual i fëmijëve në internet po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese në Bashkimin Europian, ndërsa organizatat e mbrojtjes së fëmijëve paralajmërojnë për përdorimin në rritje të inteligjencës artificiale për krijimin e materialeve abuzive.

Sipas të dhënave më të fundit, gjatë vitit 2025 janë raportuar mbi 4.5 milionë raste të përmbajtjeve potencialisht të paligjshme online, ku më shumë se gjysma lidhen me materiale të abuzimit ose shfrytëzimit seksual të fëmijëve. Ekspertët theksojnë se fenomeni po përhapet me ritme të shpejta dhe po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u kontrolluar.

Ndërkohë, raportet tregojnë një rritje të ndjeshme të materialeve të krijuara me inteligjencë artificiale, të përdorura për qëllime kriminale. Organizatat europiane paralajmërojnë se këto përmbajtje lidhen shpesh me raste të shantazhit, zhvatjes seksuale dhe ngacmimeve online ndaj të miturve.