Një incident shqetësues është regjistruar në një çerdhe në lagjen Saugus të Santa Clarita-s, ku një fëmijë ka zbuluar një gjarpër me zile të fshehur brenda një strukture lojërash.

Ngjarja ka ndodhur të enjten, kur fëmija ka vënë re zvarranikun brenda një shtëpie lojërash dhe ka njoftuar menjëherë një mësuese. Falë reagimit të shpejtë të stafit, situata është vënë nën kontroll pa u shënuar asnjë incident apo rrezik për fëmijët.

Sipas mediave lokale, në vendngjarje është thirrur eksperta e gjarpërinjve me zile, Carrie Quassen, e cila ka ndërhyrë për ta larguar kafshën në mënyrë të sigurt, përpara se të rrezikohej ndonjë fëmijë apo punonjës i çerdhes.

Pamjet e publikuara tregojnë gjarprin e mbështjellë pranë strukturës së lojërave, ndërsa ekspertja e kap atë me pajisje të posaçme për trajtimin e zvarranikëve.

Fatmirësisht, askush nuk është lënduar gjatë incidentit. Autoritetet theksojnë se raste të tilla shërbejnë si kujtesë për rëndësinë e kujdesit në zonat ku gjarpërinjtë me zile janë pjesë e habitatit natyror, duke këshilluar që në situata të ngjashme të mos tentohet kapja e kafshës, por të njoftohen menjëherë specialistët.