Moti i keq që goditi Ano Glyfadan në Greqi shkaktoi përmbytje të mëdha, duke kthyer rrugët e zonës në lumenj të furishëm. Në këto kushte, një incident dramatik ka ndodhur, ku një grua u shpëtua në minutën e fundit nga dy burra që rrezikuan jetën për ta nxjerrë nga ujërat e rrëmbyeshëm.
Sipas dëshmive dhe videove të publikuara në mediat greke, gruaja po përpiqej të kalonte një rrugë të mbushur me ujë kur nivel i tij u rrit papritur dhe kërcënonte ta merrte me vete. Dy burra që ishin pranë ranë menjëherë në ujë dhe arritën ta tërhiqnin atë në vend të sigurt. Për fat të mirë, gruaja shpëtoi, falë veprimit të shpejtë të dy burrave, të cilët rrezikuan jetën e tyre për ta shpëtuar.
Ndërkohë, disa blloqe më larg një tjetër grua u rrëmbye nga uji dhe humbi jetën. Ky rast tronditi banorët e zonës dhe i dha një dimension të ri dramës që po shkaktonin shiu dhe erërat e forta.
Përveç përmbytjeve, moti i keq ka shkaktuar dëme të shumta, me makina, koshat e plehrave dhe objekte të tjera që janë marrë nga rrjedha e ujit, duke e bërë lëvizjen e këmbësorëve dhe shoferëve shumë të rrezikshme. Imazhet e publikuara nga mediat tregojnë makina që rrëshqasin dhe godasin objekte të tjera, duke shtuar frikën e qytetarëve.
Autoritetet kanë paralajmëruar banorët që të shmangin lëvizjet në zona të përmbytura dhe të jenë shumë të kujdesshëm, pasi moti i keq pritet të vazhdojë të shkaktojë probleme në zonë.
