Volodymyr Zelensky pati një bisedë telefonike me Papa Leo XIV sot. Presidemti ukrainas shkroi në një postim në rrjetet e tij sociale që ishte biseda e tyre e parë, por shumë e përzemërt dhe kuptimplotë.
Zelensky e ftoi Papën në një “vizitë apostolike në Ukrainë” që “do t’u japë shpresë të gjithë besimtarëve, të gjithë popullit tonë”. Gjithashtu ai shtoi se ranë dakord të qëndrojnë në kontakt dhe të caktojnë një takim personal në të ardhmen e afërt. Ai më tej falënderoi Papën për mbështetjen e tij për Ukrainën dhe popullin e saj.
“Ne i vlerësojmë veçanërisht fjalët e Shenjtërisë së Tij, lidhur me nevojën për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për vendin tonë dhe lirimin e të burgosurve. Ne biseduam për mijëra fëmijë ukrainas që janë në Rusi. Ukraina mbështetet në ndihmën e Vatikanit për t’i rikthyer ata te familjet e tyre,” tha ai.
“E informova atë për marrëveshjen e arritur midis Ukrainës dhe partnerëve tanë, sipas së cilës një armëpushim i plotë dhe pa kushte duhet të fillojë sot për të paktën 30 ditë, dhe përsërita gatishmërinë tonë për të vazhduar negociatat në çdo formë, përfshirë bisedimet e drejtpërdrejta, siç e kemi theksuar vazhdimisht. Ukraina dëshiron t’i japë fund kësaj lufte dhe po bën çdo përpjekje për ta arritur këtë qëllim. Ne presim masa konkrete nga Rusia”, tha presidenti ukrainas.