Komiteti Norvegjez i Nobelit ka vendosur t’i japë Çmimin Nobel për Paqen për vitin 2025 Maria Corina Machado-s.

Lajmi është bërë publik nga Komiteti i Nobelit, duke vlerësuar rolin e saj të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave demokratike në një nga vendet më të goditura nga autoritarizmi në Amerikën Latine. Machado ndodhet e fshehur brenda territorit të Venezuelës, pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, që u konsideruan gjerësisht të manipuluara dhe të fituara padrejtësisht nga presidenti aktual, Nicolás Maduro.

Në deklaratën zyrtare, Komiteti Nobel shtoi: “Machado nderohet për punën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për luftën e saj për një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura drejt demokracisë.”

Fitorja e saj në këtë garë të rëndësishme ndërkombëtare vjen ndërkohë që presidenti amerikan Donald Trump kishte shprehur në mënyrë të përsëritur ambicien për të fituar Çmimin Nobel për Paqen.