Një 14-vjeçar është arrestuar në SHBA dhe akuzohet se ka vrarë nënën e tij duke e qëlluar me armë zjarri në kokë brenda shtëpisë së tyre në qytetin Cheyenne, në shtetin Wyoming.
Sipas autoriteteve, adoleshenti Havoc Leone dyshohet se e qëlloi nga pas 41-vjeçaren Theresa McIntosh ndërsa ajo po zgjidhte një puzzle në dhomën e tij.
Policia thotë se i riu kishte vjedhur më parë një tablet nga një klient i nënës së tij, e cila punonte duke pastruar shtëpi. Kur ai dëgjoi prindërit duke debatuar për pajisjen e vjedhur dhe se mund të zbulohej, dyshohet se planifikoi vrasjen.
Sipas dokumenteve të hetimit, ai mori armën e nënës nga makina e saj dhe e përdori brenda shtëpisë. Për ta shpërqendruar, thuhet se hodhi një bllok shënimesh në tokë, në mënyrë që ajo të përkulej për ta marrë dhe më pas e qëlloi nga pas në kokë.
Trupi i gruas u gjet nga bashkëshorti i saj rreth një orë pasi dyshohet se kishte ndodhur krimi. Ai u tha policëve se kishte dëgjuar një zhurmë të mbytur ndërsa luante video-lojëra me kufje në bodrum, por nuk e kishte menduar se ishte diçka serioze.
Kur doli në katin e sipërm, ai pa djalin pranë dhomës së tij dhe e pyeti çfarë kishte ndodhur. Sipas policisë, adoleshenti u përgjigj se arma ishte shkrepur vetë.
Babai më pas mori telefonin dhe telefonoi urgjencën rreth orës 12:46, përpara se të përpiqej të ndihmonte bashkëshorten, por ajo nuk reagonte. Fillimisht rasti u raportua si vetëvrasje, por hetuesit filluan të dyshonin pasi i riu dha deklarata të ndryshme gjatë marrjes në pyetje.
Autoritetet thonë se adoleshenti do të gjykohet si i rritur dhe përballet me akuzën për vrasje të shkallës së parë. Sipas familjarëve, ai kishte pasur edhe më parë probleme me vjedhjen e sendeve nga klientët e nënës së tij. Babai i tij i tha policisë se ishte shumë e vështirë të pranonte mundësinë që djali i tij mund të kishte vrarë bashkëshorten.




