Britania e Madhe ka prezantuar strategjinë e re të mbrojtjes “Atlantic Bastion”, një plan i gjerë që synon të forcojë mbrojtjen e infrastrukturës nënujore të vendit – kabllove, tubacioneve dhe rrjeteve të komunikimit – përballë një kërcënimi në rritje nga Rusia.
Në ujërat e thella të Skocisë, Marina Mbretërore po teston për herë të parë SG-1 Fathom, një mjet të ri nënujore që ngjan me një torpedo me krahë. Ky glider, i zhvilluar nga kompania gjermane e mbrojtjes Helsing, lëviz pa zhurmë, funksionon për muaj të tërë në mënyrë autonome dhe përdor një arkiv të gjerë të të dhënave akustike për të zbuluar nëndetëse të huaja – veçanërisht ato të flotës ruse.
Sipas menaxheres së programit, Katie Raine, Fathom “monitoron dhe dëgjon vazhdimisht”, duke e bërë të mundur identifikimin e kërcënimeve më shpejt se çdo teknologji aktuale. Nëse testimi përfundimtar rezulton i suksesshëm, mjeti pritet të bëhet një komponent thelbësor i sistemit të ri të mbrojtjes nënujore.
Ministria britanike e Mbrojtjes thekson se “Atlantic Bastion” është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj rritjes me 30% të aktivitetit të anijeve dhe nëndetëseve ruse pranë ujërave britanike. Autoritetet dyshojnë se Rusia po përpiqet të hartojë rrjetin kritik të kabllove nënujore të Britanisë – një infrastrukturë që mban gjallë ekonominë, sistemet financiare dhe komunikimin global.
Tensionet janë rritur edhe më shumë pas një incidenti të fundit, ku anija ruse Yantar përdori laser ndaj pilotëve të RAF-it që po e monitoronin, veprim të cilin Londra e quajti “jashtëzakonisht të rrezikshëm”.
Gjatë një vizite në bazën detare të Portsmouth-it, ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, tha se teknologjia e avancuar është thelbësore për t’u përballur me kërcënimet aktuale.
“Kjo është mënyra për të mbajtur epërsinë ndaj Rusisë. Ata po modernizojnë vazhdimisht flotën e tyre nënujore. Kërcënimi po ndryshon me shpejtësi – dhe përgjigjja jonë duhet të jetë po aq e shpejtë,” deklaroi ai.
Në të njëjtën bazë u prezantuan edhe sisteme të tjera të reja: nëndetësja pa pilot Excalibur dhe prototipi i helikopterit të parë autonom të Marinës Mbretërore, i njohur si Proteus.
