Presidenti kolumbian Gustavo Petro ka paralajmëruar se do të “marrë armët” nëse SHBA-të vendosin ta sulmojnë atë ose vendin e tij, pas një serie kërcënimesh nga Presidenti Donald Trump.

Në një postim në X, Petro nënvizoi përpjekjet e tij për të luftuar trafikun e drogës, të cilin Trump e ka kritikuar, dhe vazhdoi duke pretenduar se sulmet ushtarake amerikane kundër trafikantëve në Kolumbi do të rrezikonin vrasjen e fëmijëve dhe do të nxisnin rekrutimin për grupet separatiste që kanë qenë në konflikt me shtetin për dekada të tëra, shkruan CNN.

“Dhe nëse arrestojnë një president që ka mbështetjen dhe respektin e një pjese të madhe të vendit, ata do të nisin një kryengritje popullore”, shtoi ai.

Petro, një ish-anëtar i grupit gueril M19, tha gjithashtu se ai vetë do të luftonte për të mbrojtur Kolumbinë.

“U betova të mos prek më armë… por për atdheun do të marr përsëri armët”, tha ai.

Trump foli ashpër për Petron të dielën, duke e përshkruar atë si “një njeri të sëmurë që i pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë atë në Shtetet e Bashkuara, dhe nuk do ta bëjë këtë për shumë kohë”. Kur një gazetar e pyeti nëse këto komente nënkuptonin se mund të kishte një “operacion” në Kolumbi në të ardhmen, Trump u përgjigj: “Mua më duket mirë”.

Ministri i mbrojtjes i Kolumbisë, Pedro Sánchez refuzoi të përgjigjej kërcënimeve të Trump, duke theksuar në vend të kësaj se të dy vendet kanë “një marrëdhënie shumë të ngushtë”. Sánchez tha se ai mbetet në komunikim me zyrtarët amerikanë dhe se sulmet e mundshme ushtarake ndaj Kolumbisë nuk janë diskutuar gjatë bisedave të fundit, raportoi Times.